Izmir Smajlaj ia doli të rrëmbente sërish vendin e parë në një kompeticion të rëndësishëm, teksa u shpall Kampion Ballkani në kërcim së gjati në lojërat e sallave të mbyllura në Turqi. Atleti shkodran arriti të kërcente 7.91 metra, duke lënë pas kështu çdo kundërshtar. Nga ana tjetër dhe Luiza Gega zuri vendin e parë në lojërat e zhvilluara në Ballkaniadë. Smajlaj së bashku me Luiza Gegën sollën kështu për Shqipërinë kështu dy medalje të arta. Ditën e sotme atleti shkodran Izmir Smajlaj i ftuar në “Abc Neës” me gazetarin Endri Xhafo ka folur për stërvitjen që zhvillon, situatën në KOKSH dhe pritshmëritë për Olimpiadën e rradhës.
“Ballkaniada është gjë e vogël, pasi kur je kampion europe, të duken gjërat tjera më të vogla. Tani, në Ballkaniadë, janë futur dhe shtete tjera dhe është bërë më kompetitive, por unë dhe Luiza (Gega), gjithmonë ia dalim.Ministria nuk e ka futur në ligj që të shpërblehemi dhe mendoj se është gjë e gabuar. Konkurrojmë kundër 23 shteteve të Europës dhe kur vjen puna, nuk marrim asnjë lek.
Unë nuk kam nevojë të shkoj në Kenia, më duhen ultësira. Jam stërvitur në Elbasan, në Shkodër, te Liqeni në Tiranë. Në Shqipëri është e vështirë të merresh me sport, pasi duan gjithmonë medalje. Nuk e kuptojnë sa e vështirë është të marrësh medalje.
S’mund të them se jam i privilegjuar se kam trajner Gjergji Rulin. Atë që i takon çdo sportisti, ma jep edhe mua. Neve na ka penalizuar situata në KOKSH, jemi para Lojërave Olimpike dhe duhet të jemi të qetë nga ana psikologjike. Por dhe në KOKSH, ka filluar të dalë tym i bardhë.
Kështu ranë dakord dje, që të na shtonin një fond shtesë mua dhe Luizës për të kryer stërvitje. Unë kam si plan ose të iki në Amerikë, ose në Spanjë, së bashku me trajnerin tim.Me datë 27 kam një aktivit një Beograd. Kam qenë kampion europe në mars të 2017-ës, kam emocione sepse aty kam dalë kampion. Aty vijnë atletë shumë të fortë. 8.08 metra e kisha rekordin që u shpalla kampion bote. Sot për sot, e kam 7.94 metra dhe është periudha që kam rezultatet më të mira në karrierën time. Do të tentoj të kaloj kufirin e tetë metra, pse jo të thyej dhe rekordin tim personal.
Në Olimpiadë mundem të shkoj tre javë përpara, e cila është një gjë shumë e mirë se ambientohemi me orarin, me pistën, me të gjitha. Olimpiada është ëndrra e çdo sportisti. Ëndrra ime është të shkoj me norma olimpike në Olimpiade, që është 8.20 metra. Dua ta kap këtë distancë dhe të shkoj në Olimpiadë jo si i ftuar. Do të stërvitem në mars dhe në prill dhe jam i bindur që do ta kap normën olimpike. Nëse e kap këtë, më rendit në 10-shen më të mirë në botë.
Këtu në Shqipëri, është shumë e vështirë, na mungon salla e mbyllur dhe në dimër është shumë e vështirë të bësh stërvitje në Shqipëri. Mua po më bëjnë një sallë dhe muaji tjetër mbaron. Dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës, Komitetin Olimpik dhe Federatën e Atletikës”, tha Smajlaj.