Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Skënderbeun në Korçë, duke lëshuar vendin e parë në tabelën e klasifikimit. Në lidhje me këtë duel ka folur për Ora News edhe Renaldo Kalari, ish-mbrojtësi dhe aktualisht anëtari i stafit teknik të skuadrës së kuqe. Për Kalarin korçarët barazuan me një rast, që edhe këtë e afruan me portën lojtarët e kuq, pasi sipas tij ndeshja u dominua nga “Demat”.
“Ne e kemi dominuar ndeshjen kundër Skënderbeut. Ishim superior në çdo moment. Vetëm në një rast ishte kundërshtari që na ka rrezikuar. Mund të ndodhë në një ndeshje që ti e dominon rivalin nga minuta e parë te e fundit dhe nuk fiton, nuk mund ta quaj nervozizëm. Mund të kishim arritur te fitorja e takimit. Skënderbeu na erdhi vetëm njëherë. Madje edhe në atë rast e kemi sjellë ne në portën tonë, nuk erdhi vetë. Gjithsesi, kemi treguar balancë në lojë dhe jemi paraqitur mirë. Partizani është ekipi që luan më mirë futboll”, tregoi ish-mbrojtësi.