Tirana dhe Vllaznia nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në javën e 16-të të Superiores. Një nga ata që ka veshur fanellat e të dyja skuadrave është Gilman Lika. Lika është i ftuar në News 24 në Sport News, ku dha mendimin e tij. Ai pati kritika për bardheblutë. Gjithashtu, 35 vjeçari thotë se është problem fakti që shkodranët nuk shënojnë dot ndaj të mëdhave, edhe pse bëjnë një lojë të mirë.
“Te Tirana nuk kam parë një lojtar që luajti mirë. Mund të jenë të lodhur nga ngarkesa e madhe. Nuk gjej dot arsye tjetër. Mund të kenë bërë edhe shumë pushime. Kur e shikon që nuk po ecën ekipi, pse nuk ndryshon?
Të kesh kaq shumë diferencë në nivel loje është e habitshme. Kujtojmë që po luante vendi i katërt me vendin e parë. Nuk është hera e parë që i ndodh kështu Vllaznisë, pasi shpeshherë ndaj vendeve të para nuk ka mundur dot të shënojë. Ky është një problem.
Titulli i Vllaznisë?- Vllaznia ka ritmin më të lartë nga të gjitha ekipet. Po të rregullojë problemin para portës, unë mendoj se është pretendenti kryesor për titullin kampion. Unë mendoj se është e vetmja skuadër që provon presingun ultra ofensiv. Mund të them se nuk kam parë të tjerët ta bëjnë. Ritmi i lojës ka qenë shumë i madh në dallim me të tjerët. Por duhet rregulluar shënimi i golave se po nuk shënove, nuk fiton dot ndeshje. Kjo është e thjeshtë” – tha ai.