Mirel Josa u zyrtarizua më 15 maj në krye të Vllaznisë, pasi u ndërpre bashkëpunimi me ish- trajnerin Elvis Plori. Josa u kthye kështu për herë të tretë në krye të pankinës kuqeblu, pasi më parë e kishte bërë gjatë sezoneve 2006-2008 dhe 2011/22. Ndeshjet e mbetura për të janë dy në kampionat dhe finalja e Kupës së Shqipërisë me Laçin.
Për këtë situatë ka folur në emisionin “Sport News” të News 24 ish- trajneri i Dinamos Bledi Shkëmbi. Atij i duket e papërshtatshme kjo situatë dhe mendon se vetëm në Shqipëri ndodh. Më poshtë mund të lexoni një pjesë nga fjala e tij.
“Josa të Vllaznia? Mund të ndodhë vetëm në Shqipëri që dy-tre jave nga fundi shkarkohet një trajner e vjen një tjetër. Nuk shkon për shtat kjo situatë. Por në fund janë drejtuesit e klubit ata që dinë gjithçka dhe ne shohim dhe gjykojmë atë që ndodh nga jashtë.
Mendoj se ndoshta në klub kanë besuar te eksperienca e Mirel Josës, e shikojnë të vështirë. Ky është ndryshim vetëm për finalen, ndoshta për të dhënë një qetësi që e karakterizon me atë qe e njoh unë, ndaj është ndryshim për finalen. Me atë që moseksperienca e trajnerit të mëparshëm Plori ka detyruar drejtuesit të bëjnë ndryshim. Por me sa kam lexuar ish-trajneri do të jetë në staf dhe patjetër do të ndihmojë në këto javë trajnerin Mirel Josa.
Ndonjëherë fati të bën të jesh përballë në momente të vështira kundër ish-skuadrës, lojtarëve apo trajnerëve, ndodh shpesh në futboll. Me sa ndoqa fjalët e Josës, edhe për të është finale e veçantë, duket që ishte i pakënaqur nga largimi nga laçi. Në futboll është gara, egoja e fituesit që ndan këto momente për mirë apo për keq, shpresojmë të ketë fatin t’u tregojë kundërshtarëve që ishte i vlefshëm akoma për ekipin e Laçit.
Ndryshimet e trajnerëve? U duk që te Laçi u penduan për gabimin që është bërë, ndërsa te Vllaznia është ndryshe situata. Nëse te Laçi po e shohin që Duro ka dhënë qetësi dhe po vazhdon të fitojë e luajë mirë futboll, te Vllaznia duhet parë çfarë ndryshimi sjell në kaq pak kohë Josa. Nuk mund të presim vetëm ndryshim të madh përtej aspektit psikologjik te Vllaznia.
Kupa? Janë ekipe si Laçi e Teuta që ë kërkojnë e kanë shkuar shpesh në Europë nëpërmjet saj, Vllaznia e ka kuptuar tani se mirë që ka shkuar në finale, se pavarësisht kampionatit që e filloi mirë dhe e shihnim si ekipi kryesor për të fituar titullin, po “zhgënjen” se në futboll ndodh edhe të mos jesh në maksimumin e asaj që pretendon.
Derisa të vijë finalja, sidomos për Vllazninë varet si do të shkojë në kampionat edhe në këto ndeshje që kanë mbetur. Ana psikologjike varet si do të jetë në finale, në futboll mund të ndryshojnë shumë gjëra se mund të ketë dëmtime, largime, probleme në skuadër. Janë momente të rëndësishme se mund të ndryshojnë filozofinë e trajnerëve, formacionin, lojtarë të rëndësishëm mund të mungojnë e të mos jenë në formë. Ndaj mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë në ditët para finales”, u shpreh Shkëmbi.