Tirana do të duhet që të zhvillojë nesër testet për gjithë lojtarët dhe stafin, teksa në mesjavë u ndesh me Bylis që ka një lojtar të infektuar me Covid-19. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar klubit bardheblu që nesër të zhvillojë këto teste, ndërsa në dokumentet e bëra publike nga Procesi Sportiv, pika dy thotë se ndeshjet e skuadrës duhet të shtyhen deri në përfundimin e hetimit epidemiologjik.
Bardheblutë do të udhëtojnë drejt Gjirokastrës, aty ku të diel i pret Luftëtari; ndërsa sipas urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë dueli rrezikon edhe të shtyhet. Ende nuk ka asnjë përgjigje, derisa nesër stafi, lojtarët dhe çdo pjesëtar i klubit që ka pasur kontakte me lojtarët e Bylis dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen testeve. Në urdhërin e firmosur nga drejtorja Bora Salaj, thuhet qartë se ndeshjet e skuadrës sipas kalendarit të aktiviteteve të FSHF-së, të shtyhen deri në përfundimin e hetimit epidemiologjik.