Majkëll Ngoo mund të mos jetë sulmuesi i vetëm i Tiranës për sezonin e ardhshëm. Sikurse raporton Supersport, 24 herë kampionët e vendit i kanë hedhur sytë nga sulmuesi i Luftëtarit, Ismael Dunga, i cili “shpërtheu” në pjesën e dytë të sezonit me gjirokastritët, menjëherë pas largimit të Vasil Shkurtajt. Deri më tani, palët kanë gjetur akordin, por gjithçka mbetet për t’u zgjidhur me klubin gjirokastrit, Luftëtarin, që ka edhe kartonin e shtatlartit.
Dunga, në sezonin që u mbyll, do të mbahet mend më shumë për golat që i shënoi Partizanitm si në Kupën e Shqipërisë, por gjithashtu edhe në kampionat, ku në 3 ndeshje radhazi, arriti që ta dërgonte topin rrjetë dhe u kthye në një makth për mbrojtjen e kuqe.
Në këto kushte, padyshim që pritet një verë e “nxehtë” në kryeqytet. Bardheblutë kërkojnë që në sezonin e ardhshëm të kenë një skuadër konkuruese dhe deri më tani i kanë dhënë provat, pasi kanë transferuar lojtarë si Kale, Torasa, apo edhe Idriz Batha.