Real Madrid përgatitet për zgjedhjet e reja për presidentin e klubit. Florentino Perez i ka kërkuar bordit zgjedhor të klubit të fillojë procesin përkatës zgjedhor në mënyrë që një president i ri të zgjidhet gjatë verës. Lajmi është bërë me dije nga Real Madrid përmes një postimi në faqen zyrtare.
“Presidenti, pasi dëgjoi Bordin e Drejtorëve të mbajtur sot, dhe në përputhje me nenin 38 seksioni b të akteve nënligjore të Real Madrid CF, i ka kërkuar Bordit Zgjedhor të fillojë procedurën për thirrjen e zgjedhjeve për President dhe Bordin e Drejtorëve”, lexohet në deklaratën e Realit.
Për momentin, vetëm Florentino Perez ka konfirmuar synimin e tij për të dalë në zgjedhje, pa ndonjë kandidat tjetër pasi deri më tani askush nuk ka konfirmuar pjesëmarrje. Nëse kjo vazhdon deri në mometin e zgjedhjeve, Perez automatikisht do të zgjidhet për një mandat të ri.
Perez vazhdon të drejtojë që nga viti 2009 pasi asnjë kandidat tjetër nuk ka dalë në garë e për këtë arsye presidenti vazhdon të jetë në krye të Real Madrid. Pas Barcelonës që bëri zgjedhje dhe ndryshoi presidentin, tashmë është radha e madrilenve të bëjnë zgjedhje për të caktuar presidentin e ri.