Superiorja e kësaj jave nisi dhe u mbyll me rezultate që dhanë dhe efektet e tyre të menjëhershme në tabelën e renditjes. Nëse në nëntë javët e para të kampionatit Skënderbeu ishte absolut në krye, sot faza e dytë nis me Kukësin kryesues pas fitores së arritur me rezultatin 3-1 ndaj Vllaznisë.
Skënderbeu zhgënjeu me lojë dhe rezultat në Vlorë, duke humbur kreun dhe u zhvendos i dyti në listë, duke lënë pas Partizanin që me barazimin në Gjirokastër shkon në rezultatin e 19 pikëve, por që zbret një vend më poshtë në renditje.
Tirana i bën presion tre skuadrave të para të tabelës, ndërsa ditë pas dite po vërteton se është ekipi që duhet të merret seriozisht edhe në garën për titullin kampion. Çdo gjë mbetet për t’u parë, pikërisht deri te momenti i përballjeve mes njëra-tjetrës të këtyre skuadrave që do të diskutojnë shumë gjatë për Europën dhe titullin.