Superliga është drejt fundit, pasi ka mbetur për t’u luajtur edhe java e fundit e saj.
Një sezon i vështirë, me kontenstime, me probleme, por edhe me spektakël në fushë e në tribuna.
Çështja e gjykimit ka qenë një nga problemet më të prekura nga të gjitha klubet e Superligës, por edhe largimet para kohe të lojtarëve nga drejtuesit e klubeve ka qenë një tjetër tematikë e përhapur.
Në fillim ishte Korabi, klubi i parë i Superligës për këtë sezon që largoi lojtarë në mes të kampionatit. Miroslav Vujadinoviç, Emiljano Çela dhe Arjan Sheta u përjashtuan disa muaj më parë nga drejtuesit e klubit të Korabit.
Në mesin e muajit dhjetor, Luftëtari nxorri nga planet Ergys Mersinin, ish-kapitenin që u largua më pas në merkaton e janarit drejt Flamurtarit, pasi klubi gjirokastrit nuk e përfshiu në listën e lojtarëve që do të udhëtonin drejt Turqisë për të kryer fazën përgatitore.
Hair Zeqiri u përjashtua nga Flamurtari, duke hapur një çështje të madhe në Vlorë e më gjerë. Mesfushori u nxorr jashtë nga mbledhja e skuadrës me urdhër të presidentit Sinan Idrizi pas një debati mes tyre. Zeqiri nuk u rikthye më te Flamurtari.
Eri Lamçja u përjashtua nga Teuta pasi paraqitjet e tij u kritikuan nga drejtuesit e klubit, ndërsa në janar, sulmuesi firmosi me Luftëtarin.
Edon Hasani u largua nga Kukësi. Më shumë se një përjashtim, kjo çështje u trajtua si një largim mes konsensus, më saktë si një ndërprerje e bashkëpunimit me marrëveshje dy-palëshe. Por, më shumë se kaq, largimi i mesfushorit shkodran ishte një përjashtim nga ana e klubit. Kjo për arsye se Hasani nuk kishte pranuar të firmoste rinovimin për sezonin e ri. Në fakt, nuk ka ndonjë shpjegim objektiv se përse Kukësi duhet të ndërpriste bashkëpunimin me një prej titullarëve më të rëndësishëm të skuadrës në momentin më vendimtar të sezonit.
Të fundit që janë përjashtuar nga një klub i Superligës për këtë sezon janë Stefan Cicmil dhe Jasmin Agoviç.
Mbrojtësi dhe portieri i Vllaznisë u përjashtuan ‘live’ përmes një deklarate për shtyp të trajnerit Armando Cungu në Supersport pas humbjes 4-3 ndaj Skënderbeut në Korçë. Të paktën, një gjë të tillë e pranoi vetë Cungu kur tha se Cicmil, ashtu si Agoviç mund të stërviten te Vllaznia B deri në fund të sezonit, sepse ai vetë nuk do t’i pranonte në ekipin që drejton./ NEWSPORT.AL
Lojtarët e përjashtuar nga klubet e Superligës për këtë sezon:
Miroslav Vujadinoviç, Jasmin Agoviç, Emiljano Çela, Arjan Sheta, Stefan Cicmil, Ergys Mersini, Edon Hasani, Hair Zeqiri dhe Eri Lamçe.