Në Spanjë janë të sigurt, Ivan Rakitiç e ka bërë zgjedhjen e tij. Mesfushori kroat është pjesë e merkatos, me Barcelonën që nuk e ka më prioritet lojtarin. Sipas mediave iberike Rakitiç ka zgjedhur Juventusin si destinacionin e tij të ardhshëm. Kalimi i tij te bardhezinjtë nuk është kaq i thjeshtë, si pasojë e mbipopullimit të mesfushës te “Zonja e Vjetër”.
Për të pasur Rakitiç në ekip, Juventus duhet të largojë të paktën dy mesfushorë për të mos pasur probleme me grupin apo me listën e Champions. Formula e transferimit mbetet e pasaktë, me Barcelonën që pëlqen disa nga lojtarët e Juve-s. Bëhet fjalë për Rabiot, Bernardeski apo edhe Bentancur. Vullneti i Rakitiç nuk është i mjaftueshëm, pasi çështjet për t’u zgjidhur te “Zonja” nuk janë në dorën e tij.