Sodiq Atanda ishte një nga lojtarët që ka lënë gjurmë në kampionatin shqiptar. Qendërmbrojtësi afrikan u shndërrua në pikë referuese për Partizanin, ndërsa pas fitimit të titullit kampion, ai u largua drejt Izraelit duke firmosur me Hapoel Kfar Saba. 26-vjeçari njihet mirë nga Skënder Gega i cili para pak kohësh u shpreh në një panel televiziv se ka qenë “stoperi” më i mirë i kampionatit shqiptar.
Një mesazh ky për Atandën i cili ka kontratë në Izrael deri në vitin 2021. Tanimë me rikthimin e Gegës në Superiore, konkretisht në krye të ekipit të Kukësit, mund të ketë ndonjë surprizë. Marrëdhënia mes tyre vijon të jetë e mirë, ndërsa mësohet se kontaktet janë të vazhdueshme. Edhe pse kontrata e pengon për t’u rikthyer në Superiore, s’do të ishte çudi nëse këmbëngulja e Gegës do ta rikthente në Shqipëri.