Laçi ia doli të kthehej te fitorja, pas një nisje jo të mirë të sezonit. Kurbinasit triumfuan 0-1 ndaj Kastriotit, në takimin që vlejti për kampionatin. Menjëherë pas ndeshjes, lojtari i laçjanëve, Juljan Shehu foli për Supersport. Ai u shpreh i lumtur për 3 pikët, sakaq tha se skuadra duhet të vazhdojë me rezultate pozitive. Shehu bëri të qartë për të gjithë se me trajnerin që u largua, Vukiçeviç, mungoi përshtatja dhe kjo u pa qartë.
“Trajneri i ri? Nuk ndryshoj gjë e madhe. Ne po kalonim një situatë të keqe dhe ishim të motivuar për ta kthyer situatën. Shpresoj që të vazhdojmë me ecuri pozitive. Të gjithë e dijnë se ndaj Kastriotit është e vështirë. U munduam që të përgjigjemi me të njëjtën monedhë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Titulli? Është akoma herët për të folur për titullin. Rëndësi ka të kthehemi aty ku na takon dhe më pas të flasim për titullin kampion.
Ndryshimi– Të të them diçka konkrete se çfarë ndryshoi, nuk e them dot. Ne erdhëm nga ndeshje të mira në Europë dhe më pas e nisëm keq kampionatin. Fati ndihmon një herë, dy herë, por jo gjithmonë. Duhet të ngrihemi sa më shpejt sepse kështu nuk na konvenon.
Kundër trajnerit Vukiçeviç? Ne jemi profesionistë dhe me çdo trajner ne bëjmë maksimumin. Mendoj se ka qënë thjeshtë çështje përshtatjeje. Shpresoj që të vijojmë me rezultate të mira sepse kjo situatë nuk na pëlqen fare. Mendoj se ka ndikuar edhe lodhja. Eufori te Laçi? E vështirë që të ketë. Këtë gjë e dini edhe ju” – tha ai.