David Domgjoni ka folur para ndeshjes së Kastriotit kundër Flamurtarit. Krutanët presin vlonjatët në shtëpi dhe për ish-qendërmbrojtësin e Tiranës nuk është aspak e vështirë për të marrë fitoren para publikut të tyre.
Ai është i bindur në potencialin e skuadrës dhe në një prononcim për Supersport, vlerëson punën e mrekullueshme të bërë nga trajneri Stavri Nica. Në fund flet për objektivin, qëndrimin në Superiore që bëhet synim i “prekshëm” me formën që krutanët po kalojnë.
“Me Flamurtarin do të jetë një ndeshje e vështirë. Do të hyjmë për të marrë maksimumin. Shpresoj të dalim mirë. Besoj se do të marrim rezultat pozitiv nëse do të luajmë si në ndeshjet e fundit.
Dua të vazhdojmë me këtë ritëm. Në 4-5 ndeshjet e fundit kemi bërë lojë me aksione të rrjedhshme. Do të mundohemi të marrim maksimumin. Kemi krijuar një fizionomi të lojës. Besoj se është objektiv i arritshëm, qëndrimi në Superiore.
Do të mundohem të bëj mirë me ekipin e Kastriotit. Do mundohem të arrij objektivat dhe në fund të kampionatit të shohim se ç’mund të bëjmë. Jam i fokusuar 100 përqind me këtë skuadër për të marrë maksimumin”, është shprehur David Domgjoni.