Vllaznia B festoi dje një arritje historike, pasi siguroi pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm.
Shkodranët u kualifikuan pas ndeshjes shtesë të zhvilluar kundër Sopotit, duke fituar 4-3 me penallti.
Një leksion që Vllaznia B i jep Vllaznisë, pra ekipit që drejtohet nga trajneri Cungu e që po lufton për mbijetesë.
Vllaznia e Superligës rrezikon mbijetesën, por gjithashtu rrezikon që festimet e djeshme të Vllaznisë B për ngjitjen në Kategorinë e Parë të anulohen.
Arsyeja? Nëse Vllaznia nuk do të mbijetojë në Superligë, atëherë do të jetë ajo pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm dhe jo Vllaznia B. Në një kategori nuk lejohen dy skuadra të një klubi futbolli dhe Vllaznia B do të zbriste sërish në Kategorinë e Dytë.
Tashmë Vllaznia e Cungut duhet të mendojë edhe për Vllazninë B, sepse nëse nuk mbijeton, dëshpërimi këtë herë do të ishte dyfish më i madh.