Tomislav Busic dëshiron të jetë protagonist në supersfidën e nesërme me Partizanin në kuadër të javës së 25-ë të Kategorisë Superiore. Pas katër ndeshjesh, sulmuesi kroat arriti të tundte për herë të parë rrjetën në barazimin e arritur ndaj Kukësit në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Në një intervistë për “Newsport“, 33-vjeçari tregon se është përgatitur maksimalisht për sfidën me “Demat e Kuq” duke patur parasysh se ka shënuar me fanelën e Flamurtarit ndaj kryesuesve të kampionatit.
Nuk përton të flasë as për të kaluarën e pambyllur te Flamurtari, ku zbulon se ende nuk është shlyer financiarisht. Te Teuta ai ka gjetur partnerin e ri në sulm dhe këtë e zbulon më poshtë.
-Në media po shihet qartë se Teuta kërkon mbështetjen e plotë të tifozëve të saj nesër ndaj Partizanit. Mund të na i përshkruash, si është atmosfera në ekipin tuaj? Personalisht, ai ndieni emocione?
Shpresoj që nesër të vijnë tifozët tanë në ndeshje dhe të jetë një derbi me shumë njerëz. Atmosfera është pozitive. Po punojmë mirë dhe jemi gati për ndeshjen me Partizanin. Personalisht, nuk kam emocione, e kam përgatitur veten për takime të tilla.
-U zhbllokuat në takimin e fundit me Kukësin duke shënuar golin e parë me fanelën e Teutës. Në këndvështrimin tën, cili është më i vështirë për t’i shënuar dhe për ta mundur: Partizani apo Kukësi?
Të dyja janë ekipe të forta. Çdo përballje me ta është e vështirë, sepse duhet të luftosh për çdo top. U kam shënuar të dy ekipeve dhe kam fituar ndaj tyre. Normalisht, dëshiroj të përsëritet e njëjta gjë dhe nesër.
-Në lidhje me objektivat e Teutës, mendoni se është e mundur ta fitoni titullin? Do të mjaftoheshit edhe me një barazim?
Në këtë moment 10 pike diferencë duken shumë, por në futboll çdo gjë është e mundur, sepse janë dhe shumë pikë në lojë. Nesër do të bëjmë gjithçka për të fituar ndeshjen dhe të shkojmë me mendjen për të marrë 3 pikët në Tiranë.
-Në intervistën tuaj të fundit, treguat se ish-klubit tuaj Flamurtarit i keni vendosur afat deri në maj për të shlyer të gjitha rrogat e prapambetura? Jeni shlyer pjesërisht apo ende nuk jeni paguar?
Jo, fatkeqësisht jam me Flamurtarin në të njëjtën pikë. Kanë kohë deri në maj të më paguajnë, sipas marrëveshjes.
-Jeni lojtar me shumë eksperiencë në Kategorinë Superiore. Kë do të zgjidhnit si trajnerin më të mirë, Ilir Dajën apo Bledi Shkëmbin?
Janë të dy trajnerë shumë të mirë. Daja ka fituar shumë trofe dhe arrin rezultate pozitive. Shkëmbi është trajner i ri dhe po e kryen shumë detyrën te Teuta. Është në rrugën e duhur për të patur një karrierë të mirë si trajner dhe të fitojë shumë tituj. Uroj që trofeu i parë për të të vijë këtë vit.
-Për kuriozitet, a keni gjetur një “partner” më të mirë në sulm te Teuta se Danilo Alvesi kur luanit te Flamurtari?
Me Danilon pata një marrëdhënie shumë të mirë në fushë dhe ne e ndihmonim njëri-tjetrin. Te Teuta kam luajtur vetëm 4 ndeshje dhe këtu ka lojtarë shumë të mirë dhe më pëlqen të luaj me Prognin pranë meje, sepse është lojtar i shpejtë, i cili e përdor shumë mirë hapësirën midis meje dhe mbrojtjes kundërshtare./Dario Velaj/.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.