U largua para dy javësh nga Kukësi për t’u transferuar në Bjellorusi. Elis Bakaj, sulmuesi i njohur kryeqytetas do të nisë një aventurë të re me klubin e Shaktyhor. Për 30-vjeçarin ka pasur mjaft aludime nga media të ndryshme. Për të mësuar më shumë detaje dhe si qëndron e vërteta me transferimin e tij, newsport.al kontaktoi menaxherin e lojtarit Andi Matraxhiu. Së bashku me Florian Bibën, Matraxhiu bëri të mundur kalimin e Bakajt në Bjellorusi.
Ai tregon për newsport.al që gjithçka është çështje proceduriale dhe gjithçka që thuhet për Elisin nuk është e vërtetë. “Duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të kampionatit tonë, normalisht çdo thashethem përbën lajm”, thekson menaxheri i lojtarit. Në fund ai tregon nëse ka pasur ose jo prapaskena dhe gjithashtu zbulon se kur do të derdhet në arkat e klubit të Kukësit shuma e parave të fituara nga shitja e Bakajt.
– Jeni përfaqësuesi i Elis Bakajt. Shumë aludime për sulmuesin kryeqytetas, a mund të na zbuloni se ç’po ndodh me të?
Aludime mund të ketë, por nuk ka asgjë të vërtetë për atë që thuhet. Thjeshtë është çështje procedurash.
– A është e vërtetë që Kukësi nuk i ka dhënë ende lejekalimin?
Është normale që Kukësi nuk mund të japë lejekalimin pa mbaruar pagesa që klubi i Shaktharit duhet të derdhë në arkat e klubit verilindor. Është çështje proceduriale. Elisi fillimisht duhet të marrë lejeqendrimin në qytetin Bjellorus. Nuk mund të bëhet asnjë veprim bankar. Ata janë një klub serioz. Janë treguar korrekt me lojtarin, me menaxherët dhe të njëjtën gjë do e bëjnë edhe me Kukësin. Janë një klub me financa të shëndosha. Ne kishim një muaj që punonim për transferimin e Bakajt atje, por ata janë pak të ngadaltë në procedurat ligjore.
– Pse gjithë kjo tendencë për Bakajn?
Nuk besoj se ka tendencë kundër Elis Bakajt. Thjeshtë është një emër i spikatur në futbollin shqiptar. Çdo thashethem për të përbën lajm dhe politikat editoriale e shohin të arsyeshme t’i publikojnë në media të ndryshme.
– Për të gjithë tifozët e tij personal, kur do të zbresë në fushë Elisi?
Kampionati bjellorus nis në fund të muajit ose në fillim të prillit, diçka e tillë. Jam i sigurt që Elisi do të jetë në fushë pasi është një nga lojtarët që është marrë për lider në këtë ekip.
– A ishte lëvizje e duhur largimi nga Kukësi?
Nuk mund të them lëvizje e duhur sepse ai po bënte shumë mirë te Kukësi. Edhe po të qëndronte te Kukësi nuk do të humbte diçka të madhe. Fati i tij i mirë dhe konsensusi me drejtuesit e klubit, bëri që Elisi të zgjedhë këtë rrugë.
– Mjafton të jetë një skuadër e huaj dhe gjithmonë ato janë më mirë se kampionati ynë?
Që të kuptohemi. Ende nuk e kemi parë mirë. Kemi parë disa pamje filmike të ekipit Shaktyhor, por ende nuk e dimë nëse është një skuadër më lart se kampionati shqiptar apo se Kukësi. I vetmi ndryshim janë financat më të larta. Në elitë, në vendin tonë limiti i financave mund të jetë 1 milion euro, ndërsa Shaktyhori mund të ketë 5 milionë euro financa në sezon.
– A ka pasur prapaskena për transferimin e Bakajt?
Ka pasur negociata të vazhdueshme, procedura, dokumente. Edhe siç e përmenda më lart, ky shtet, ky ekip janë pak të ngadaltë në procedurat me letrat, por janë seriozë. Jam i sigurt që nuk do të ketë asnjë problem edhe për pagesën e Elisit. Këto ditë pritet të dalë edhe leja e qëndrimit për lojtarin dhe më pas do të procedohet për pagesën e klubit të Kukësit. Klubi bjellorus ka zgjedhur vetë ta ketë Elis Bakajn në gjirin e tij, na kontaktuan dhe kjo ishte e gjitha. /Retin TOKA/