Ertan Demiri, mbrojtësi që iu bashkua Partizanit në sezonin 2013-2014, i kontaktuar nga newsport.al ka rrëfyer edhe një herë emocionet e atij goli në derbin Partizani-Tirana, në tetor të 2013. Demiri në minutën e 57-të pas një goditje dënimi për të kuqtë, arrin ta çojë topin brenda kuadratit të mbrojtur nga Stivi Frashëri, duke ngritur peshë tifozërinë e kuqe në stadiumin legjendar “Qemal Stafa”.
-Keni qenë shënuesi i atij goli në tetor të 2013, teksa në minutën e 57-të ngritët peshë tifozërinë e kuqe, ju mungon ai moment?
Goli i atij derbi është një ndër momentet më të bukura në karrierën time. Deri atë ditë nuk e dija se është aq e rëndësishme të fitohet kjo ndeshje. Jam krenar dhe shpesh e përkujtoj atë delir që shpërtheu në tribunën D3.
-E keni ndjekur kampionatin shqiptar? Po merkaton e këtij sezoni?
E kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek shumë kampionatin shqiptar. Edhe merkaton e kam ndjekur me kujdes. Si çdo herë bëhen shumë premtime, emra të ndryshëm përfolen, por në fund shumë pak realizohen. Merren lojtarë që nuk janë ndjekur nga afër, por nëpërmjet videove.
-Kush mendoni se fiton në derbi?
Mendoj dhe shpresoj që derbin do ta fitojë Partizani dhe do vazhdojë serinë e rezultateve pozivite në ndeshjet derbi.
-Cili do te jete ai që do të shënojë?
Nuk mund të them dot se kush mund të shënojë, pasi nuk janë më aty Nexhipi me Sukajn.
-Diçka për t’i thënë tifozërisë së kuqe?
Tifozëria e Partizanit është tifozëria më këmbëngulëse dhe ndër të rrallat që i thonë të gjitha ato që mendojnë drejtuesve të klubit, me të vetmin qëllim që skuadra e tyre të rritet sa më shumë. Le të vazhdojnë dhe të jenë sa më të shumtë në numër për të mbështetur ekipin e tyre.