Lorenc Trashi nuk i humb shpresat për titull dhe me të drejtë sipas tij duke parë që Partizani kryeson kampionatin edhe pse me pikë të barabarta me Kukësin. Në konferencën e sotme për shtyp, mesfushori i të kuqve pranon se barazimi kundër Kukësit nuk e favorizon skuadrën kryeqytetase në luftën për titull, por tashmë kanë mbetur edhe katër ndeshje ku Partizani duhet të marrë maksimumin.
Trashi iu përgjigj interesit të gazetarëve edhe për të ardhmen e tij te të kuqtë, duke pranuar se gjithçka varet nga klubi dhe oferta që presidenca e Partizanit do t’i bëjë pas fundit të këtij sezoni.
TITULLI– “Sigurisht barazimi ndaj Kukësit na ka penalizuar paksa në luftën për titull, pasi një fitore ndaj tyre do të na afrote shumë drejt objektivit final. Gjithsesi janë edhe 4 ndeshje që përkthehen me 12 pikë. Të presim si do të dalin përballjet që do të kenë dy rivalët tanë. Ne besojmë në fitimin e titullit përderisa matematikisht jemi plotësisht në lojë. Ne do të luajmë shanset tona deri në fund”.
ALEANCAT– “Realisht të gjithë po e shohin se si kanë ardhur deri këtu disa ekipe, por nuk dua t’i komentoj shumë këto gjËra pasi më pas do të interpretohen negativisht. Ne kemi ndërgjegjjen e pastër, pasi ndaj të gjithë kundërshtarëve kemi dhuruar ndeshje të vërteta dhe të gjitha skuadrat japin maksimumin ndaj nesh. Mendoj dhe shpresoj që dy sfidat Kukësi–Flamurtari dhe Teuta–Skënderbeu të jenë ndeshje të bukura dhe të kënaqin publikun”.
KLUBI-“Ky është viti im i 3-të te Partizani dhe e them me bindje që në këto 3 vite klubi ka bërë një punë mjaft të mirë, duke parë edhe objektivat që ka presidenti Demi. Ai e ka marrë klubin nga zero dhe e ka ngritur në nivelet më të larta aty ku e duan të gjithë tifozët e skuadrës. Shpresoj që të jetë ky viti ynë i duhur, ta mbyllim me titull. Edhe pse është mjaft e vështirë ne do të luftojmë deri në fund”.
LAÇI-“Ndaj Laçit do të jetë një përballje e vështirë duke parë që ka mjaft nevojë për pikë, mendoj që ne nuk na lejohet asnjë hap fals dhe duhet të sigurojmë vetëm 3 pikët”.
E ARDHMJA– “Unë jam në kontratë me klubin, dhe jam totalisht i fokusuar të jap më të mirën për ekipin. Nëse për mua do të ketë ofertë konkrete është presidenti dhe klubi që vendosin, ndaj e them se jam i fokusuar t’i shërbej skuadrës”.
TIFOZËT– “Pozitive në këtë sezon mendoj se ka qenë ecuria dhe rezultatet e skuadrës. Një tjetër anë pozitive e këtij sezoni ishte edhe prezenca e madhe e tifozerisë tonë në stadium. Mbështetja e tyre edhe në këtë sezon ka qenë e mrekullueshme dhe ata mbeten një aset i çmuar për skuadrën dhe klubin”.