Luftëtari do të luajë nesër kundër Flamurtarit në shtëpi, ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Superligës.
Trajneri i skuadrës gjirokastrite ka besim te skuadra e tij dhe në intervistën për “Supersport” shprehet se ekipi i tij do të bëjë maksimumin për të marrë tri pikët.
“Nuk mendoj që Luftëtari ka luajtur mirë vetëm përballë skuadrave të mëdha, por jemi paraqitur mirë edhe në ndeshjet e tjera, ku mund të përmend sfidën me Teutën. Në dhjetë ndeshje që kemi zhvilluar deri më tani, ndoshta nuk jemi paraqitur në nivelin tonë në përballjet me Korabin dhe Flamurtarin. Në startin e kampionatit kemi pasur luhatjet tona në lojë, por duke nisur nga java e tetë përballë Tiranës jemi paraqitur mirë dhe që loja në nivele të tilla të vazhdojë edhe kundër Flamurtarit”, shprehet Milinkoviç.
Edhe pse në dijeni të problemeve financiare të Flamurtarit, Milinkoviç tregohet i kujdesshëm dhe vlerëson vlonjatët, megjithatë thekson se objektivi i vetëm i Luftëtarit mbeten tre pikët.
“Flamurtari ka treguar se është një prej skuadrave më të forta. Pavarësisht se mund të kenë probleme të tjera brenda klubit, përsa i takon skuadrës, bëhet fjalë për një ekip mjaft të mirë. Megjithatë ne futemi në çdo ndeshje për të fituar dhe presim të marrim tri pikët. Ndeshja e fundit tregoi sesa të rëndësishëm janë tifozët për ne dhe sa e ndihmojnë ata skuadrën. Mund t’u premtoj mbështetësve se lojtarët do të japin maksimumin e tyre për të fituar”, deklaron trajneri i Luftëtarit, Mladen Milinkoviç.