Pas fitores kundër Laçit në shtëpi, Teuta tashmë është më e çliruar dhe do të kërkojë që të ecë në rrugën e rezultateve pozitive, ndërsa sfidën e radhës në kampionat do ta zhvillojë kundër Tiranës në “Selman Stërmasi”.
Një ndeshje e vështirë, por sipas asaj që pohon edhe kapiteni i “djemve të detit”, Bledar Hodo, skuadra durrsake do të kërkojë maksimumin edhe nga kjo përballje.
Në një prononcim për newsport.al, Hodo shprehet: “Normalisht që është një trasfertë e vështirë si çdo ndeshje në këtë kampionat. Por ne do të shkojmë për rezultat pozitiv dhe jo për ekskursion në Tiranë”.
Emërimi i Gugash Maganit në krye të stolit të Teutës ka sjellë entuziazëm në radhët e Teutës, ndërsa trajneri peqinas e nisi me fitore aventurën e tij me durrsakët. ” Mendoj që është zgjedhja e duhur pasi trajneri Magani e njeh shumë mirë grupin dhe ambientin te skuadra jonë. Mendoj se do bëjë një punë të mirë, ashtu si gjithmonë”, deklaron Bledar Hodo.
Për sa i përket objektivit për mbijetesë, kapiteni i Teutës ka besim të plotë se “djemtë e detit” do t’ia arrijnë me sukses këtij synimi.
“Është e vërtetë se kalendari na vendos përballë Tiranës, Kukësit dhe Partizanit në tri ndeshjet e radhës. Por, mendoj që në këtë kampionat asnjë nuk shihet si ekip i dobët dhe nuk besoj shumë te kalendari, por tek ajo që do japim në fushën e lojës për të marrë rezultatin. Asnjë skuadër nuk duhet të jetë e qetë, sepse të gjitha ekipet po luftojnë fort. Ndaj edhe ne do bëjmë maksimumin që mos ta diskutojmë mbijetesën. Kam bindjen që do dalim aty ku i takon Teutës”, përfundon kapiteni i “djemve të detit”, Bledar Hodo.