Jurgen Muho, një ndër arbitrat më të ri në Shqipëri, në basketboll, i kontaktuar nga newsport.al ka folur për karrierën e tij, si nisi dhe çfarë synon. Lidhja e tij me sportin e basketbollit ka filluar që në moshen 9 vjeçare në vitin 2002 në radhët e ekipit të Sonia Basket në grupmoshën minibasket dhe më pas në radhet e ekipit Asys Klima dhe Superior Basket, respektivisht në grupmoshat paratërinj dhe të rinj. Si pasojë e vazhdimit të studimeve të larta u shkëput nga ushtrimi i sportit të basketbollit, por nuk u largua tërësisht, duke vazhduar më tej karrierën si arbitër basketbolli në vitin 2011.
– Si e nisët karrierën si arbitër? Sa vite ke?
Mbas mbarimit të sezonit të fundit të grupmoshes U-18 në sezonin 2010-2011 vendosa të vazhdojë karrierën si arbitër basketbolli. Fillesat si arbitër, unë i pata në kampionat ndërmjet shkollave që zhvilloheshin nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria Arsimit. Më tej në turnet e grupmoshave U-16 dhe U-18 të organizuara nga Federata Shqiptare e Basketbollit.
– Çfarë takimesh gjykoni?
Ndër këto sezone që jam arbitër aktiv kam gjykuar ndeshje në të gjitha kategoritë dhe grupmoshat në të cilat Federata Shqiptare e Basketbollit organizon aktivitetet e saj sezonale.
– Kush ishte mbështetësi më i madh për të filluar këtë “aventurë” të re në jetën tuaj?
Mbështetja ime në këtë aventurë të re të karrierës si arbitër, në radhë të parë ka qenë familja ime. Gjithashtu duhet përmendur fakti që kam një mbështetje të madhe nga kolegët e mi arbitër. Do doja të veçoja disa emra: Ervin Koçi (arbitër ndërkombetar), Shefqet Bekteshi (arbiter ndëërkombetar) dhe Gentian Cici (arbitër ndërkombetar) ku kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen time si arbitër.
– Çfarë planesh ke për të ardhmen tuaj në arbitrim?
Një nga synimet kryesore është rritja e cilësisë së arbitrimit hap pas hapi si dhe të arrij të arbitroj në arenat ndërkombetare. Për të arritur këto nivele duhet shumë punë dhe pjesëmarrje në seminare të zhvilluara nga FIBA për gjyqtarët.
– Cila është ndeshja më emocionuese që ju keni arbitruar?
Të gjitha ndeshjet përcjellin emocione, por e rëndësishme është që këto emocione të jenë pozitive dhe arbitrimi të jetë sa më korrekt. Ajo çka mund të veçoj për ndeshjet më emocionuese që kam arbitruar janë ndeshjet e SuperLigës të Shqipëris, për vetë faktin se në këtë lige luajnë dhe lojtarët më të mirë të Shqipërise.
– Sa e vështirë është të ruhen ekuilibrat lojtar- trajner- arbitër?
Me profesionalizmin brenda fushës në marrëdhënien lojtar- trajner- arbitër nuk është aspak e veshtirë. Ka akoma për të përmirësuar që kjo marrëdhënie të jetë sa më e mirë dhe në përfundim të kemi një ndeshje të sukseshme.