Mikel Canka është një nga lojtarët që u transferua nga Lushnja te Egnatia. Sulmuesi lushnjar ishte një nga përforcimet më të mira të skuadrës së Rrogozhinës gjatë merkatos së verës. Një sulmues me eksperincë që ka luajtur në disa klube të njohura në Superligë apo edhe në Kategorinë e Parë tashmë ka një tjetër mision, për të ngjitur Egnatian në Superligë ashtu siç bëri disa sezone me parë me Lushnjen ku me golat e tij ishte vendimtar.
Ka luajtur 13 ndeshje me fanelën e Egnatias dhe deri më tani ka shënuar 2 gola, por beson se tani skuadra do të jetë më e fortë se në fazën e parë për shkak se lojtarët janë ambientuar akoma më shumë më njëri-tjetrin. Egnatia ndodhet aktualisht në vendin e 3 me 25 pikë në renditjen e Grupit B 5 pikë më pak se Bylisi i vendit të parë. Në një intervistë për Newsport.al Canka flet për objektivat e klubit, ofertat nga skuadra të ndryshme dhe në fund dëshiron që Kukësi të shpallet kampion, kjo për arsye të Rrocës.
Si po shkojnë përgatitjet për rifillimit e sezonit?
Përgatitjet e minifazës dimërore pothuajse i mbyllim këtë javë. Kemi punuar mjaft mirë si nga ana fizike dhe nga ajo teknike dhe një gjë pozitive është se në skuadër nuk është dëmtuar asnjë lojtar dhe të gjithë janë të gatshëm për ndeshjen e parë për këtë vit.
Cili është objektivi i Egnatias për këtë sezon?
Objektivi i klubit përpara startit të kampionatit ishte të renditeshim sa më lart në tabelën e klasifikimit dhe të ishim pretendent për ngjitjen në Superligë. Jemi brenda këtyre mundësive, ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur dhe ne do t’i marrim me radhë një nga një për të dhënë më të mirën tonë. Kishim pak vështirësi në fillimin e kampionatit pasi të gjithë lojtarët nuk ishin ambjentuar me lojën e njëri-tjetrin. Tani e kemi më të leht të shprehemi në fushën e lojës dhe kjo është një gjë pozitive për ne.
Jeni përballur me të gjitha skuadrat në Grupin B, kush mendon se është pretendeti kryesor?
Në Grupin B është paksa e vështirë për të dalluar se kush është skuadra pretendente, sepse të gjitha skuadrat që pretendojnë kanë hasur vështirësi edhe me ekipet që janë më pak të dobta. Do të shkëpusja 5 skuadrat e para që ndodhen aktualisht në renditje. Të gjitha këto skuadra pretendojnë dhe kanë shanse mjaft të mira për t’u shpallur kampion, ashtu si ne.
Jemi në periudhë merkato, a ka pasur oferta në adresën tuaj?
Po, kam pasur disa telefonata nga klubet e Kategorisë së Parë, por ndihem mirë këtu. Kam dëshirë të jap akoma më shumë për këtë skuadër deri në përfundim të këtij sezoni.
Një pyetje për Superligën, kush mendon se mund të dal kampion këtë sezon?
E kam ndjekur Superligën dhe mendoj se gara do të jetë e fort deri në fund të kampionatit. Mendoj se Partizani, Kukësi dhe Teuta janë skuadrat pretendete për fitimin e titullit kampion. Unë dëshiroj që titullin kampion ta fitoj Kukësi, për arsye se gjatë kësaj merkato u bashkua shoku im Rroca dhe kisha dëshirë ta shikoja kampion.
Një mesazh për tifozerinë?
Tifozeri jonë është për t’u përgëzuar sepse nuk kanë lënë vetëm në asnjë ndeshje. Vërtetë nuk janë një numër i madh, por janë për t’u përgëzuar pasi nuk na ndjekin vetëm në ndeshje, por edhe gjatë stërvitjeve. Ne si skuadër shpresojmë që t’i kënaqim me rezultate pozitive në ndeshjet e mbetura të këtij sezoni./ Renaldo Gremi