Kategoria e Parë është një kampionat që shpesh herë, shihet si inferior nga sportdashësit apo dhe nga vet klubet e elitës. Por, vitet e fundit na ka dhënë përgjigje të mira, pasi ka prodhuar talente që militojnë në Superligë dhe bëjnë shumë mirë.
Një nga këta emra është dhe Nertil Hoxhaj, lojtar i Elbasanit. Para një jave, tërhoqi vëmendjen një supergol nga goditja e dënimit, në ndeshjen mes Apolonisë dhe Elbasanit. “Snajperi” i atij faulli, ishte pikërisht, 21-vjeçari, Hoxhaj.
I “lindur” tek Akademia e Partizanit, i riu, ka arritur të bëjë dhe debutim në Superilgë, me të kuqtë. Por më vonë u largua për tek Flamurtari. Për të më e rëndësishme është të jetë në fushë, nuk ka rëndësi në cilën kategori, por në fushë.
Në një intervistë për newsport.al, Hoxhaj, na rrëfeu sekretin e atij supergoli, ofertat që ka marrë, madje edhe futbollistin tek i cili frymëzohet, për të bërë më të mirën
Intervista e plotë:
– Hoxhaj ju momentalisht, po luani tek Elbasani dhe ndeshjen e fundit shënuat një supergol, e kishit punuar në stërvitje atë gol apo ishte frymëzim i momentit?
Goli ndaj Apolonisë ishte pak me fat sepse ishte distancë shumë e largët, por në çdo seancë stërvitore mundohem të qëndroj pak më shumë dhe të punoj pak me faullat sepse i pelqej shumë ato lloj gjuajtjesh.
– Tek Elbasani, duket se keni gjetur veten duke marrë shumë minuta në këmbë, mendoni se do ishte më mirë të ishit në Superligë, por me më pak minuta apo këtu?
Mendoj se minutat janë ato që e rrisin një futbollist dhe unë jam 21 vjeç, prandaj kjo është kryesorja për mua dhe dua që këtë sezon ta mbyllë me sa më shumë minuta.
Në këtë mënyrë të kem mundësi të marrë sado pak eksperiencë dhe të rritem si futbollist për të qenë gati, për një ekip në një shkallë më të lartë të Superligës.
– Cilat janë objektivat e ekipit të Elbasanit për këtë sezon?
Kur filloj sezoni nuk u vendos një objektiv fiks dhe fillimi i sezonit ishte i vështirë. Në ndeshjet e fundit bëmë disa paraqitje shumë të mira duke grumbulluar disa pikë të rëndësishme.
Mendoj se duke parë ecurinë e ekipit dhe lojtarët që kemi nuk do e diskutojme mbijetesën, por do të synojmë që të jemi në mesin e tabelës.
-Si një futbollist i ri i talentuar, keni pasur shumë oferta nga ekipe të Superligës, apo të Kategorisë së Parë?
Deri më tani më ka kontaktuar një ekip nga Superliga, por siç ju thashë e rendësishme për mua është të marrë minutat e duhura. Unë me menaxherin tim do të ulemi ta diskutojmë se sa e mundur është kjo gjë.
Kam pasur oferta dhe nga 2-3 ekipe nga Kategoria e Parë, por s’kam vendosur asgjë ende. Në janar do flas dhe me menaxherin dhe të dy bashkë do vendosim diçka, që do mendojmë se është më e mira për vazhdimin e karrierës sime.
– Cili është modeli jot i frymëzimit, si futbollistë brenda apo jashtë vendit?
Mendoj se për egon dhe karakterin që tregon në fushë, Cristiano Ronaldo është një frymëzim për të gjithë futbollistat. Ai na bën të besojmë se me shumë punë arrihet çdo gjë.
– Përsa i përkët Superligës, cili mendoni se është ekipi që ju do përshtateshit më mirë?
Nuk kam ndonjë emër ekipi të veçantë, por nëse do të isha pjesë e Superligës do mundohem të pershtatem sa më mirë dhe të paraqitem mirë për atë ekip që do përfaqësoj./Marsel Alliaj/