Kristian Prenga, sigurisht që është një ndër sportistët me të cilin krenohet kombi shqiptar. Boksieri shqiptar numëron plot 9 fitore dhe vetëm një barazim. Ndersa shijen e humbjes ende nuk e ka provuar.
Gjiganti “Kuq e Zi”, nga Mirdita sfidoi në 15 dhjetor 2018 në Toronto të Kanadasë senegalezin Aldo Colliander, i cili mbron ngjyrat e flamurit suedez.
Në një intervistë për “Shqipëria Ime”, Prenga tregon përjetimet e ndjesitë gjatë ndeshjes, ëndrrën e së ardhmes si dhe mundësisë për të zhvilluar ndeshje në atdheun e tij.
Intervista e plotë:
Si shkoi ndeshja e mbrëmshme?
Ndeshja siç u pa dje, shkoj shumë mirë.
Ishte ndër të paktat raste që ndeshja shkon deri në raundin e gjashtë, ishte kundërshtari i fortë apo nuk ishe ti në ditët e tua më të mira?
Të them të drejtën, isha në ditët e mia më të mira, gjithmonë e më mirë do të jem. Por, ka qenë një kundërshtar me një eksperiencë më të madhe se unë dhe është ndryshe të hysh dhe ta kesh fitoren të sigurtë me një kundërshtarë që thua e kam të lehtë. Nga ana tjetër është ndryshe kur hyn në ring të tregosh se si fitohet.
Kjo ka një diferencë të madhe, është ndryshe kur hyn për të fituar dhe ndryshe kur hynë për të treguar se si fitohet.
Çfarë emocionesh ke, kur ke kaq shumë shqiptarë që të mbështesin dhe ajo që na bëri përshtypje ishte përkrahja e tifozave kanadez?
Kur ka shumë shiptarë ka shumë përgjegjësi, pasi kur humb unë zëre se humbin të gjithë dhe kanë për të ikur të gjithë me kokën ulur. E kam thënë dhe herë të tjera duhet të fitojë për të gjithë dhe jo vetëm për vete.
Ndersa për kanadezët të them të drejtën nuk e di pse më duan. Më duket se mënyra që unë boksojë, që më thonë se i ngjasoj Kliçkos mund të jetë arsyeja.
Kur hyrë në stadium, vura re që të përshëndetën të gjithë, policat kanadezë, punonjës të sigurisë që të ndaluan dhe kjo ishte shumë e bukur që të përkrahet një sportist shqiptar më shumë se një kanadez. Pse ndodh kjo gjë?
Kjo është një gjë e madhe të them të drejtën, të arrish të bësh këtë në botë. Nuk është se kam ndenjur shumë këtu në Kanada, çdo gjë ka ndodhur brenda një viti e gjysmë.
Cilia është ambicia më e madhe e Krist Prengës, cili është limiti që kur ta arrish do thuash nuk do vazhdojë më?
Të gjithë duan të bëhen kampion bote, por unë dua të ndeshem me më të mirët që të tregojë se kush është Shqipëria dhe kush janë shqiptarët.
Ju hyni në ring me këngën e Skënderbeut, pse kjo zgjidhje?
Skënderbeu është një figurë e madhe jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Skënderbeu është motivuesi më i madh për mua.
Cila është data më e afërt e ndeshje së ardhshme që do të zhvillosh?
Kam shumë kërkesa, në Amerikë kam kërkesa, në Londër po ashtu se ka shumë shqiptarë, por ende nuk kam vendosur. Shumë shpejt do t’iu bëjë me dije.
Në një intervistë të mëparshme ju keni thenë që: “Nëse është e nevojshme për popullin tim do të boksojë falas pa pagesë dhe pa bileta”. Çfarë na thoni më tepër?
Jam i gatshëm, e kam thënë dhe e them prapë, do të bëjë ndeshje në Shqipëri. Kush është i gatshëm të më thirrë do e bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Si i ke marrëdhëniet me sportistat e tjerë jo vetëm të boksit, të përkrahin? Keni marrëdhënie të mira, keni hatërmbetje?
Hatërmbetje nuk kam nga asnjeri, përkrahje kam nga shumë. Unë jam me këmbë në tokë, me të gjithë kam shkuar mirë. Sportistat shqiptarë kanë shumë shpresë dhe e tregojnë në botë se çfarë vlerash kanë, shpresoj që do e tregojnë deri në fund.
Kemi evidentuar që këtu në Kanada je person publik, por sjellja jote është shumë e thjeshtë takon çdo njeri, je shumë ndryshe prej sportistave të tjerë, pse kjo zgjedhja e jotja? Pse ja kaq njeri i thjeshtë?
Për mendimin tim, nëse nuk je vetvetja nuk je askush, unë i thjeshtë kam qenë dhe i thjeshtë do jem gjithmonë. Nëse nuk je me këmbë në tokë nuk je askush, nëse nuk je kampion në zemër nuk ke për të qenë kampion në diçka tjetër në jetë . Unë me këtë jam edhe pse s’kam pasur shumë kohë pasi kam qenë i angazhuar shumë në stërvitje jam munduar t’i takojë të gjithë.
A do kemi një ndeshje të madhe në Shqipëri nga ty, pasi të gjithë shqiptarët po e presin?
Mendoj që po dhe jam duke folur për këtë gjë . Ëndërra ime është që të bëjë një ndeshje të madhe në Shqipëri. Nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë po do mundohem të jetë madhështore. Flamurin shqiptar edhe kur se vesh e kam gjithmonë në zemër.