Skuadra e Selenicës arriti sot të ngjitej në Kategorinë e Dytë pasi barazoi 1-1 kundër ekipit të Mirditës. Një nga protagonistët e suksesit ishte lojtari Etnor Rina, i cili dha një kontribut të rëndësishëm për ekipin e tij.
Në një intervistë për newsport.al,
Rina zbulon se askush nga lojtarët nuk paguhet dhe të gjithë japin maksimumin
duke qenë se janë të apasionuar pas futbollit.
“Grinta
dhe pasioni për futbollin na shtyjnë që të futemi në fushë për të dhënë
maksimumin. Edhe pse nuk jemi në kondicionin e duhur fizik, kur jemi brenda katërkëndëshit
të blertë mendojmë vetëm për fitoren“, tha fillimisht ai.
Më tej tregon se është mjaft e vështirë të ndjekë rregullisht futbollin, duke qenë se të gjithë janë në punë. Madje zbulon se vetë punon si marangoz: “Nuk mund të jemi 100 përqind në formë pasi s’bëjmë stërvitje rregullisht. Jemi në punë. Unë punoj si marangoz, ndërsa në ekip kemi mësuesë, dentistë e bujqër“.
Futbolli tashmë është shndërruar në një prodhimtari të madhe të ardhurash, megjithatë për skuadrën e Selenicës investimi është 0. Të paktën kështu tregon Rina, i cili deklaron se askush s’paguhet në ekipin e tij. “Nuk marrim asnjë pagë në këtë ekip që jemi. Nuk ka stimul financiar, të paktën deri tani“.
Objektivi për Selenicën u arrit dhe tashmë të gjithë lojtarët kanë qëllimet e tyre. Këtë e thotë edhe Rina duke shtuar: “Qëllimi, ngjitja në Kategorinë e Dytë u realizua. Më tej të shohim“, përfundoi për neësport.al portieri i Selenicës, Etnor Rina.