Vetëm dy muaj në skuadrën e Cagliarit dhe arriti të merrte një ftesë nga Kombëtarja U-19. Mario Dervishi, talenti 18-vjeçar i lindur dhe rritur në Itali ka dhënë një intervistë eksluzive për newsport.al. Sulmuesi i Cagliarit shprehet mjaft i lumtur që është vlerësuar nga stafi i trajnerit Erjon Bogdani.
Ai zbulon ëndrrat që ka për të ardhmen dhe jep mendimin e tij edhe për Kombëtaren e Madhe. Talentin në sulm nuk mund ta fshehë, megjithatë tregohet modest duke thënë: “Jo, s’jam talent”. Fakti që u grumbullua nga Kombëtarja U-19 për herë të parë, do të thotë se ai i ka impresionuar vëzhguesit e tij.
Intervistoi: Retin TOKA
– Mario përshëndetje! Si u ndjetë që morët një ftesë nga Kombëtarja?
U kënaqa shumë për këtë ftesë që mora nga Kombëtarja. Ka qenë gjthmonë ëndrra ime qëkur kam qenë i vogël.
– Shiheni si një talent i se ardhmes, sa iu motivon ky fakt?
Nuk dua ta pranoj se jam talent. Unë dua të punoj fort për të pasur një të ardhme të ndritur. Futbolli do shumë sakrifica . Unë do të punoj shumë për ëndrrën time.
– Cila është ëndrra jote?
Të luaj me ekipin tim të preferuar, Interin.
– Prej sa kohësh jeni pjesë e Cagliarit?
Me Cagliarin jam bashkuar në datën 24 korrik, kur nisëm përgatitjet.
– Te cili ekip jeni formuar?
Me ekipin e Novarës dhe gjej rastin të falënderoj trajnerin Ernesto Marchi.
– Ç’mendon për përfaqësuesen U-19?
Është një skuadër shumë e mirë. Ka një grup të konsoliduar dhe shpresoj që të futem edhe unë sa më parë në atë grup.
– Po Kombëtaren e Madhe?
Kombëtarja e madhe është super. Çdo ndeshje e kam parë dhe mendoj se do të jetë dita më e bukur e jetës sime, kur të jem në fushë me përfaqësuesen e Madhe.
– Meqë jeni kaq i lumtur që keni marrë një ftesë nga Bogdani, po nëse do iu vinte një ftesë nga Italia ç’do të bënit?
Unë e kisha vendosur, do të luaja vetëm për ngjyrat kuqezi.
– Sa larg do të shkojë U-19 me Erion Bogdanin?
Trajner Erion Bogdani ka qenë shumë lojtar i mirë në fushë dhe i tillë do të jetë edhe në pozicionin e trajningut.
– Mendo se ti do të arrish të jesh titullar?
Nuk mendoj se do të jem titullar. Ajo është puna e trajnerit për ta zgjedhur, por unë do të mundohem sa më shumë që të jem në formacion.
– Sa e vështirë ka qenë për ty të arrish në këto nivele?
Nuk e kam menduar kurrë që do të arrija këto nivele. Kam luajtur në një ekip me nivel më të ulët dhe tashmë jam befasuar.
– Skuadra për të cilën bën tifo në Itali?
Siç e thashë edhe më lart, dua të jem pjesë e tij dhe jam tifoz i çmendur i Interit.