Trajneri peqinas Gugash Magani ka marrë përsipër detyrën e vështirë të rikthimit të Flamurtarit në majat e futbollit shqiptar. Pas një sezoni të suksesshëm vitin e kaluar me Teutën, ku arriti të siguronte pjesëmarrjen në kupat e Europës, ai u largua nga Durrësi duke pranuar ofertën e presidentit Sinan Idrizi për t’u vendosur në krye të ekipit vlonjat. Flamurtari prej disa sezonesh ka shpenzuar shuma të mëdha parash në merkato por rezultatet kanë qënë zhgënjyese teksa në fund ka përfunduar duke luftuar për mbijetesë, ndaj dhe presidenti Idrizi zgjodhi timonierin e fundit të Flamurtarit që ka luftuar për titullin kampion për t’i besuar drejtimin e një projekti serioz dhe ambicioz.
Në një intervistë për “newsport.al”, Magani ka rrëfyer punën e kryer deri tani te Flamurtari në ndërtimin e ekipit të sezonit të ardhshëm.
– Si po shkon merkato e verës te Flamurtari?
– Mund të them se merkato po ecën në kushte optimale. Nuk duhet harruar që kemi nisur një punë thuajse nga zero ndaj dhe na lind detyra të tregohemi shumë të kujdesshëm në çdo veprim që bëjmë.
– A jeni brenda pritshmërive që keni pasur?
– Deri diku po, por gjithsesi mbetet për t’u parë pasi lojtarët e afruar ende nuk i njohim mirë. Ne kemi vendosur një rregull për merkaton që çdo lojtar i afruar duhet të ketë karakter pozitiv dhe përulësi për të punuar në të mirë të ekipit, nuk na shërbejnë futbollistët problematikë. Karakteri i futbollistit është një nga të dhënat kryesore që na intereson për çdo futbollist të afruar.
– Sa lojtarë do të largoni nga ekipi në ditët në vazhdim?
– Ne kemi larguar një pjesë të lojtarëve që nuk na shërbenin deri tani dhe në vazhdim besoj se do largohen edhe 2-3 futbollistë të tjerë, jo më shumë.
– A do ketë afrime të tjera?
– Deri tani ne kemi formuar grupin me rreth 70% të futbollistëve shqiptarë, dhe kryesisht çuna të rinj vlonjatë, duke mbajtur dhe kryesorët që nga sezoni i kaluar. Këta do të jenë baza e ekipit të sezonit të ri. Do të ketë dhe ndonjë afrim tjetër në vazhdim por nuk mund të them një numër të saktë. Një është pak, ndërsa dy janë shumë.
– Sa prej të huajve do të qëndrojnë në ekip?
– Besoj se 5 prej tyre do të qëndrojnë dhe 1 do të largohet, por nuk mund të jap emra pasi ende nuk kam folur me presidentin për këtë çështje duke qënë se ai ndodhet në Turqi.
– Si e parashikoni kampionatin e sezonit të ardhshëm?
– Kampionati nga viti në vit bëhet më i vështirë. Do të ketë rivalitet të madh mes ekipeve dhe gjithashtu do të ketë rritjë të nivelit sepse pjesëmarrja e kombëtares në EURO 2016 do të ndihmojë edhe kampionatin tonë duke rritur vëmendjen në të.
– Çfarë objektivash ka Flamurtari në këtë sezon?
– Objektivi i vetëm i Flamurtarit këtë sezon do të jetë ndeshja e rradhës. Plotësimin e këtij kushti e kam kërkuar me ngulm para se të pranoja detyrën. Sigurisht që nuk do të jetë një Flamurtar që do të renditet në fund të tabelsës si sezonin e kaluar. Do të jetë një ekip kompetitiv që do të synojë të ngjitet sa më lart, por pa pasur asnjë objektiv konkret.