E nisi sportin si një adoleshent që kërkonte të gjente disiplinën e tij sportive dhe me sa duket bëri zgjedhjen e duhur. Përpos sportitistit të mrekullueshëm, ka qenë dhe një student i shkëlqyer. Ky është Ervin Çali, volejbollisti i talentuar nga Tirana që së fundi është bërë lojtar i Partizanit. Në një prononcim për newsport.al, Çali ka treguar se si ka arritur në këto nivele, kujt ia dedikon sukseset e tij dhe ç’synon për të ardhmen.
– Si e nisët volejbollin?
Si çdo adoleshent që përpiqet fillimisht të gjejë veten tek ndonjë disiplinë sportive, zgjedhja ime ishte Volejbolli.
– Kush iu shtyu?
Ai ishte daja im ,Skënder Qefalia, ndër volejbollistët më të mirë të Tiranës së viteve 80’-90’. Ndonëse rolet nuk përkojnë (ai shuter, unë organizator) vlerësimet dhe kritikat e tij me kanë ndihmuar gjithmonë për të arritur suksesin.
– Si ndiheni në skuadrën tuaj të re, Partizani ?
Do të jetë një eksperiencë e re dhe e bukur , me synimin e njëjtë , arritjen e sukseseve në të gjitha pjesëmarrjet.
– Çali është edhe pjesë e Kombëtares, si ja keni dalë të fitoni besimin trajnerit kuqezi?
Ketë verë mora një ftesë për të qenë pjesë e ekipit kombëtar , por për shkak të mosrakordimeve kohore , nuk munda të jem pjesë e ekipit që mori pjesë në Ligën e Europës. Shpresoj të rikthehem sa më shpejt pranë ekipit Kombëtar , në kompeticionet e ardhshme.
– Ju ndihmon ekonomikisht volejbolli? Sa është një rrogë mesatare?
Është një ndihmë e vogël , por e pakrahasueshme, qoftë edhe me sportistët që luajnë në vendet fqinjë.
– Sporti është i rëndësishëm për mbajtjen e trupit në formë. Sa e vlerësoni? Bëni stërvitje individuale?
Sigurisht që po. Është diçka e ndërsjellë ,sporti të mban trupin në formë,dhe forma të ndihmon të ecësh në sport. Sa për stërvitjen individuale , ajo mund të futet në kuadrin e pasionit , por gjithmonë në shërbim të sportit që luaj.
– Përpos volejbollit keni qenë edhe një student i mirë. Si ja keni arritur që t’i bëni të dyja siç duhet?
Shkolla dhe sporti janë dy sfida që ecin paralelisht me njëra tjetrën , ku synimi është gjithmonë i njëjtë, Suksesi.
Nëse suksesi është qëllimi yt, atëherë çdo gjë bëhet me e lehtë.