Vendosi të vijonte bashkëpunimin edhe 1 vit me Flamurtarin, skuadër me të cilën shpreson të “hipotekojë” titullin kampion. Është një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit vlonjat dhe padiskutim që do të ketë një vend titullari. Tomislav Bushiç, sulmuesi i njohur kroat ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al.
Pasi vendosi të qëndronte në Vlorë, 32-vjeçari ka folur pa “doreza” duke thënë hapur gjithçka që mendon. Ka zbuluar se Kukësi ka qenë ekipi i interesuar për shërbimet e tij, por oferta vlonjate e ka bërë të kthehet mbrapsh.
Në skuadër do të dëshironte disa lojtarë që kanë spikatur në Superiore, madje flet me superlativa për ta. Mes Dajës dhe Duros, Bushiç ka një zgjedhje. Në fund zbulon marrëdhëniet që ka me presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi.
– Tomislav, çfarë të bindi të rinovonit sërish me Flamurtarin?
Mund t’iu tregoj diçka. Në momentin që më telefonuan që të rikthehesha në Vlorë, s’e mendova dy herë. Kam arritur në ambientet e klubit dhe brenda 2 minutash kemi arritur marrëveshjen e kam nënshkruar kontratën. E dua këtë skuadër dhe më pëlqen ky qytet.
– A kishe oferta nga klube të tjera të Superiores?
Po, isha në kontakte me Kukësin. Por, në momentin që më telefonuan në Vlorë, unë hoqa dorë dhe s’fola më me asnjë. Tani jam i lumtur që kam rinovuar me këtë skuadër.
– Tashmë në krye të skuadrës është emëruar Ilir Daja. E njihni dhe a keni folur me të?
Kam folur shumë pak me të. Më është dukur një njeri i qetë. Pastaj, sa i përket futbollit, të gjithë e njohin mënyrën e mrekullueshme si përdor ai në lojën e skuadrës. Jam shumë i lumtur që do të punoj me të.
– Dajën apo Duron, kë zgjidhni?
Për mua të dy janë trajnerë të mrekullueshëm. Me Duron kam pasur një eksperiencë të shkëlqyer, ndërsa me Dajën uroj të përsëris të njëjtën gjë. Dua që të punoj maksimalisht për të arritur te rezultatet e shkëlqyera.
– Danilo Alvesh është lojtari tjetër i larguar. Do të preferonit një rikthim të tij?
Sigurisht që po. Unë e pres atë. E pres të rikthehet pasi është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Me të arrij të përshtatem mirë dhe mund të theksoj që është një nga futbollistët më të mirë të Superiores.
– Sezonin e fundit ishit kapiten me Flamurtarin. A beson se do ta kesh sërish shëritin edhe me Ilir Dajën?
Për mua ishte kënaqësi e madhe të mbaja shiritin e kapitenit. Nuk e di nëse do ta kem ose jo edhe me trajnerin Daja. Nëse ai ka plane të tjera, për mua s’është problem. Do të respektoja me kënaqësi çdo vendim të tij.
– A beson te titulli në sezonin e ri?
Mund t’iu them që nëse arrijmë të krijojmë një skuadër kompakte, sigurisht që do të jemi kandidatë për titullin kampion.
– Nëse do të ishit në rolin e këshilltarit në klub, cilët lojtarë do t’i sygjeroje president Idrizit?
Fillimisht do të zgjidhja: Rroca, Gavazaj, Bregu, Batha dhe Jakovljeviç. (Qesh) Janë të gjithë futbollistë të shkëlqyer.
– Edicionin e shkuar, Ali Soëe ishte golashënuesi më i mirë i Superligës. Mendon se tashmë është radha juaj?
Për mua trofeu i “Këpucës së Artë” s’ka rëndësi. Unë dua të shënoj sa më shumë në mënyrë që të arrij t’i shërbej skuadrës. Ky është synimi im i vetëm.
– Marrëdhëniet me president Idrizin si janë? Dhe, çfarë pëlqeni kaq shumë në Vlorë?
Kam marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin. Në Vlorë më pëlqen qyteti, por gjithashtu edhe njerëzit që janë të mrekullueshëm. /Newsport.al/