Kukësi do të luajë nesër kundër Luftëtarit, një kundërshtari që në javët e fundit po tregon ego dhe po bën lojë për t’u admiruar, duke fituar edhe ndaj ekipit më në formë të momentit, Tiranës. Ndeshje e vështirë që do të luhet në “Zeqir Ymeri” të shtunën në orën 14:00.
Trajneri Ernest Gjoka nuk i druhet gjirokastritëve, por ai ka besim te grupi i tij për këtë takim, por edhe për të ardhmen. I intervistuar nga “newsport.al”, tekniku i verilindorëve, i cili ka marrë katër fitore dhe katër barazime dhe asnjë humbje, flet vetëm për ekipin e tij, ndërsa nuk i intereson përballja mes Partizanit dhe Skënderbeut, rivalët e këtij sezoni për kreun e tabelës.
Kanë kaluar tetë javë, cili është suksesi më i madh i Kukësit deri më sot?
Suksesi i Kukësit për këto javë që kemi kaluar ka qenë grupi, të cilët nga java në javë ma kanë bërë shumë të lehtë punën dhe atë filozofinë të cilën ne si staf po i implementojmë për çdo ditë.
Luani ndaj Luftëtarit, surprizoi Tiranën. I druheni?
Jo nuk i druhemi, por sigurisht e vlerësojmë sepse duke vlerësuar kundërshtarin ne respektojmë e vlerësojmë punën tonë dhe kjo gjë na jep besim për vazhdimësinë.
A keni mungesa të konfirmuara në këtë takim?
Kemi Lenën me kartonë dhe asnjë mungesë tjetër.
Kur mendoni se do të jeni në krye të tabelës?
Ne jemi në garë dhe gara është e gjatë dhe e vështirë. Për ne ka rëndësi të vazhdojmë të ecim përpara pa bërë gabime dhe herët a vonë do të jemi aty, por ne duam të jemi si ai atleti që nuk nxitohet, por tregon durim dhe qetësi për finishin.
Luhet Partizani – Skënderbeu, një parashikim?
Mendoj vetëm për ndeshjet tona, ato që ne duhet të marrim tri pikë, të tjerët aty janë, nuk kanë ku shkojnë…