Pritej që të firmoste me Tiranën, por sot Marko Cetkovic i ka habitur të gjithë me lëvizjen e bërë. Mesfushori i njohur ka zgjedhur të vijojë aventurën në Mal të Zi me skuadrën e Sutjeska Niksic, duke refuzuar në këtë mënyrë 24-herë kampionët e vendit. Bisedimet mes tij dhe drejtuesve bardheblu kishin avancuar dhe pritej vetëm finalizimi: “Hedhja e të zezës mbi të bardhë”.
Kjo nuk ndodhi dhe tashmë drejtuesit e Tiranës duhet të ndryshojnë objektiv për të gjetur tjetër lojtar me cilësitë e 31-vjeçarit. Për të mësuar më shumë rreth asaj që ka ndodhur, newsport.al ka kontaktoi vetë fantazistin. Në një intervistë të shkurtër, ai tregoi që çdo kërkesë i ishte plotësuar nga drejtuesit bardheblu, por preferoi që për arsye personale të vijonte karrierën në vendlindjen e tij.
– Marko priteshit që të firmosnit për Tiranën. A mund të na tregosh se çfarë ndodhi?
Po, është e vërtetë. Drejtuesit bardheblu u treguan më shumë se korrekt, por unë vendosa të qëndroj në Mal të Zi. Këtu më ofruan një kontratë për titull kampion dhe kjo është e gjitha.
– Në vendin tonë ishte fakt i kryer transferimi juaj te bardheblutë. A iu ofroi më shumë ekipi malazez se Tirana, për sa i përket termave financiarë?
Tirana më ofroi më shumë para, por vendosën gjëra të tjera. Sutjeska është një klub i stabilizuar me një skuadër të mirë. Te Tirana, ata çdo vit krijojnë një skuadër për titull kampion, por në fund përfundojnë duke luftuar që të qëndrojnë në Superligë. Megjithatë dua të them që njerëzit te Tirana ishin më korrektë në çdo aspekt.
– A mendon se me këtë lëvizje, i ke mbyllur çdo “shteg” të ardhmes tënde që një ditë të bëhesh pjesë e Tiranës?
Mendoj që po. Por dua ta theksoj se s’kam asgjë personale. Është thjesht futboll.
– Më lart thatë që drejtuesit iu ofruan gjithçka. A ke diçka për t’i thënë atyre pas kësaj lëvizje të papritur?
Dua t’i kërkoj falje, por mendoj që kam bërë zgjedhjen më të mirë. Mendoj që koha do ta tregojë.
– Refuzimi juaj ndaj Tiranës ka gëzuar tifozët e Partizanit në Shqipëri. E kishit menduar këtë?
E di që ndoshta do të kem probleme, por unë s’jam një futbollist shqiptar. Luajta vetëm për 6 muaj te Partizani. Nuk është aspak e pazakontë që lojtarët të luajnë për ekipet rivale në Shqipëri apo edhe në vende të tjera. /Retin TOKA/