Datë e veçantë, për ditë të veçantë. Kështu mund të quhet ky titull i Tiranës në basketboll për meshkuj, ku pas 5 vitesh mungesë arritën të rikthenin titullin kampion në kryeqytet. Dhe kjo ndodhi në një ditë të veçantë për njërin nga basketbollistët më të njohur bardheblu, Red Voglin. Dy gëzime në një ditë, njëri më i bukur se tjetri. Jeta e surprizoi teksa iu desh të festonte ditëlindjen e 30-të të tij në parket përballë dashurisë së pakushtëzuar, Fanaticsave të cilët qenë të shumtë në “Asllan Rusi”. Shtatlarti i Tiranës i kontaktuar nga newsport.al ka dhënë një intervistë ekskluzive për emocionet e këtij titulli që do të festohet së bashku me 30-vjetorin e tij të lindjes.
– Data 29, ditëlindja e 30-të dhe titulli kampion në një ditë për Redin dhe Tiranën. Si ndihesh?
Jam mjaft i lumtur. Është një nga ditët më të bukura të jetës sime. Çunat më dhuruan trofeun në këtë ditë të veçantë timen. Kisha vite që e prisja. Jam i emocionuar nga surpriza më e bukur që m’u bë për këtë ditëlindje, teksa Fanatiksat më uruan duke kënduar të gjithë në kor. Në atë moment kuptova që unë kam lindur për Tironën dhe Tirona është krijuar për mua.
– Ndeshja pati në disa momente ulje-ngritje. Menduat se mund ta humbnit?
Pati disa momente të vështira, pasi djemtë ishin mjaft të karikuar nga supertifozëria që nuk pushoi së mbështeturi për gjatë gjithë takimit. Kjo bëri që të luajnë në disa raste dobët, por që Vllaznia në këtë tre ndeshje nuk ka ka krijuar asnjë shkëndijë për të na treguar që do ta na mundte.
– Pas takimit u patë të përlotur, sigurisht lot gëzimi…
Ishte emocion i papërshkrueshëm. Fitimi i titullit është puna e një viti, për të gjithë çunat, por edhe për mua në veçanti. Rrezikova karrierën time duke shtyrë operacionin e gjurit vetëm për të qenë i gatshëm për ekipin tim të zemrës.
– Tifozët, kjo pjesë e pandarë e jotja. Sa ndikuan për titullin?
Merita më e madhe i takon atyre. Kanë qenë prezentë në çdo ndeshje dhe ky titull i dedikohet vetëm atyre. Shpresojmë të vazhdojmë për shumë kohë të sundojmë parketin dhe të nderojmë qytetin.
– 30-vjetori të gjeti mes dashurisë tënde të përjetshme, Tiranës dhe Fanatiksave. Në fakt, në fushë nuk u dukët i emocionuar…
Nuk kisha emocione fare. Më pas, pak pasi hyra në fushë pashë super koreografinë e Fanatics dhe aty e kuptova që do ishte një mbrëmje e bukur.
– Vitet ikin, por edhe karriera. Si mendon Redi këtë pjesë?
30-vjetori për mua është thjesht shifër. Ndihem më i fortë se kurrë. Do të rikthehem akoma më i fuqishëm në mbështetje të Tironës dhe vetëm Tironës.
– Ke diçka speciale për t’i thënë Fanaticsave duke qenë se je pjesë e tyre?
Janë njëlloj si sahati dhe xhamia, “Simboli i Tironës”.
– Përveç Fanaticsave, kujt tjetër në veçanti ia dedikon titullin?
Sigurisht familjes që më kanë mbështetur për vite me radhë dhe çdo njeriu që e do fanelën e Tironës.
– Mund të na zbulosh ç’ke planifikuar sonte? Dy gëzime në një ditë vështirë të mbyllen tani apo jo?
Kam prenotuar në një nga lokalet e Tiranës dhe bashkë me shokët dhe stafin drejtues do të festojmë për të dyja festat. / Retin TOKA/ Newsport.al/