Është basketbolliste e Tiranës dhe ka disa vite që merret me këtë sport, i cili është pasioni i saj. Zoti i ka bërë dhuratën më të bukur në lidhje me këtë sport, gjatësinë. Kjo është Adelajda Aliaj, e cila në një prononcim për newsport.al ka rrëfyer se pse zgjodhi këtë sport, kush ishin ata që e shtynë dhe se çfarë pretendon për të ardhmen. Alija ka zbuluar edhe peng të sajin, refuzimin e ofertave për të luajtur jashtë Shqipërie, ku thekson që kanë qenë të shumta.
– Pse zgjodhët basketbollin?
Basketbolli më zgjodhi mua nga shtatlartësia. Në 8-vjeçare më kanë përzgjedhur në shkollë si basketbolliste. Mësuesja e fiskulturës i kishte folur trajnerit të basketbollit të Apolonisë të asaj kohe, të ndjerit Miço Gjini. Ai vjen në shkollë për të më parë dhe mundohet me çdo kusht duke i mbushur mendjen familjes time, e cila pas këmbënguljes së vazhdueshme të tij më lanë të vazhdoja basketbollin.
– Kush iu shtyu?
Pastaj më pëlqeu ky sport, dëshira që të jep ky sport i bukur, pasioni, jeta sportive që është aq e bukur dhe e “dhimbshme” në të njëjtën kohë. Pastaj familja dhe sidomos mami, megjithëse me profesion krejt tjetër ishin ata që më shtynë për t’u rritur në karrierën time.
– Si ja keni dalë të arrini në nivele të larta?
Ja kam dalë me vullneti tim, me punën e palodhur që kam bërë deri më tani (duke lënë gjëra të tjera pas dore dhe duke iu përkushtuar këtij sporti). Do veçoja një nga trajnerët e mi që kanë punuar më së shumti me profesor Astrit Grevën. Por dua të përmend një dhuratë nëse mund ta quaj kështu, që Zoti më ka dhënë shtatlartësinë, por edhe shpejtësinë. Të dyja bashkë japin frutet e veta.
– Ç’pretendoni në të ardhmen?
Në këto momente jam e dëmtuar. Vij pas një operacioni goxha të vështirë dhe primare për momentin kam rikthimin ndoshta në formë më të mirë se sa e lashë. Është i vështirë, por jo i pamundur. Do goxha kohë, po besoj se fazën e dytë do jem gati dhe ndeshjet e kthimit të eliminatoreve që janë në nëntor ku nuk mund të luaj.
– Përveç basketbollit, e ndiqni futbollin?
Deri diku e ndjek dhe futbollin. Madje kam dhe futbollistin tim të preferuar, Cristiano Ronaldon.
– Luani me Tiranën, keni emocione kur vishni atë fanellë?
Çdo fanellë që vesh të rëndon mbi supe dhe do të japësh maksimumin, po e Tiranës ndoshta pak më shumë për numrin e yjeve që ka mbi fanellë.
– Diçka për të thënë për fanaticsat?
Janë tifozëria më zjarrtë që ekgziston dhe i falënderoj për mbështetjen e tyre.
– Ndonjë peng për karrierën tënde?
Kam një pishman në jetën time. Nuk kam shfrytëzuar mundësitë që më janë dhënë për të luajtur jashtë Shqipërie, të cilat kanë qenë të shumta.