Jasir Asani ishte emri më i përmendur në merkaton e Partizanit gjatë kësaj vere që shkoi. Talenti i Shpresave kuqezi që luan në Maqedoni me Vardarin e Shkupit u kërkua me ngulm nga të kuqtë, por kontrata e tij me klubin aktual nuk e lejoi të largohej.
Në një intervistë për “Korrieri.al”, Jasir Asani e pranon se ëndrra e tij është të luajë në Superligën Shqiptare, por një gjë e tillë për momentin nuk është e mundur.
Në intervistën e tij, sulmuesi i talentuar ka folur edhe për arsyet se përse zgjodhi Shqipërinë dhe për marrëdhëniet e tij me tifozët e Vardarit që njihen si anti-shqiptarë.
-Jeni në vendin e parë në kampionatin Maqedonas. A do të arrijë Vardar ta mbrojë këtë pozitë në renditje? Cilin ekip shihni si pretendent për të fituar titullin kampion?
-Po japim maksimumin që të kryesojmë tabelën deri në fund. Kemi kundërshtarë goxha te fortë, por nuk kam ndonjë mendim fiks, ka kohë deri në fund të kampionatit.
-Ju zgjodhët kombëtaren Shqiptare para asaj Maqedonase. Si u prit kjo zgjedhje në kampin e Vardarit?
-Nuk është se i kam kushtuar rëndësi pritshmërive të të tjerëve se si do reagojnë kur të bëj zgjedhjen për kombëtaren, por mund të them që të gjithë stafi dhe bashkëlojtarët më kanë uruar suksese.
-Çfarë ju shtyu të zgjidhnit kombëtaren Shqiptare? A kishit ndonjë arsye te veçantë kur dihet se ju jeni aktivizuar edhe për shpresat e Maqedonisë?
-Unë jam shqiptar dhe në trupin tim rrjedh gjak shqiptari. Nuk mendoj se duhet të ketë dikush arsye te veçanta për të dhënë kontributin për vendin e origjinës.
-Tifozëria e Vardarit konsiderohet si anti-shqiptare. Si ndiheni ju si shqiptar mes atyre dhe a keni pasur ndonjëherë probleme me to?
-Nuk kam pasur probleme kurrë, me kane respektuar në maksimum pavarësisht se ndonjëherë ka përplasje me tifo grupet e tjera shqiptare.
-A ka pasur oferta nga ekipe të Superligës Shqiptare për Jasir Asanin dhe për cilin ekip të Superligës Shqiptare do e linit Vardarin?
-Kam pasur oferta por duke qenë se kam pasur kontratë me Vardarin e kam parë të arsyeshme të vazhdoj këtu edhe për disa kohe. Nuk e kam menduar për cilin ekip do ta lija Vardarin, veç e them me bindje se Superliga e Shqipërisë është ajo që do ta ëndërronte çdo lojtar i ri si unë.
-Në verë u fol për një kalim tuajin te Shkëndija. A kishte diçka konkrete me drejtuesit e Shkëndijës?
-Gjithmonë përflitet për të tilla gjëra në afatet kalimtare, blerje-shitje lojtarësh. Nuk kam pasur një ofertë, megjithëse jam i hapur për të gjitha klubet për bisedime.
-Shpesh herë ke qenë ne qendër të kritikave nga ana e Ballistave dhe Shvercerave. Çfarë mendimi ke për to? A ke ndonjë mesazh te veçantë?
-I respektoj të dy tifo grupet, ma kënaqin zemrën kur i dëgjoj me himnet, brohoritjet shqip.
-Hapat e cilit futbollist do të donit të ndiqnit? Cili është futbollisti që keni si shembull për tu ndjekur?
-Ka shume futbollistë të mirë, nuk kam ndonjë favorit. Thjesht më pëlqen të shoh futboll te bukur, futbollistë që e duan këtë profesion.
-Ëndrra e Jasir Asanit është?
-Kam një sirtar ëndrrash, por po punoj fort që një ditë te mbetet i zbrazur ai sirtar