Trajneri i Interit Luciano Spalletti dha lajmin e mirë për tifozët zikaltër se mesfushori Radja Nainggolan do të jetë në dispozicion të ekipit pas ndeshjes së nesërme me Napolin. Tekniku zikaltër shtoi se këto janë rregullat e vendosura nga klubi dhe ndien keqardhjen që nuk ka në dispozicion futbollistin belg.
“Secili është në gadishmëri. Mirana ende nuk është rikuperuar, por Asamoah është gati. Edhe Joao Mario është i gatshëm të luajë. Më vjen keq që nuk e kam në skuadër Nainggolanin sepse është lojtar i fortë, por rregullat në skuadër janë aq të rëndësishme sa topi. Ai nuk është përjashtuar nga ekipi, vetë mungon në këtë ndeshje. Pas këtij takimi, ai do të stërvitet me grupin dhe do të marrim në konsideratë kontributin e tij”, deklaroi Spalletti para mediave në konferencën për shtyp”.
Nainggolan u përjashtua nga Interi për një afat të pacaktuar, pasi mbërriti me vonesë në seancën stërvitore për ndeshjen me Napolin. Mediat italiane ngjallën spekulime se klubi zikaltër nuk është i kënaqur me paraqitjet dhe sjelljet e 32-vjeçarit brenda dhe jashtë fushe, ndaj ka nisur lëvizjet për ta shitur në merkaton e janarit.