Skënderbeu do të luajë ditën e nesërme sfidën e radhës në kampionat ndaj Teutës. Pas 3 rezultatesh negative, korçarët kërkojnë të rikthehen te fitorja dhe në Durrës kërkohet me çdo kusht reagimi. Në prononcimin e tij për “Supersport”, trajneri Ilir Daja u shpreh se ndihet I vlerësuar për ofertat që ka marrë në merkato, por momentalisht është I fokusuar te skuadra e Skënderbeut.
“Është një periudhë merkato. Jo vetëm për futbollistët, por edhe për trajnerët do të ketë emra që do të shfaqen në listën e preferuar të ekipeve. Unë jam totalisht i përqendruar te Skënderbeu, sepse kjo është natyra dhe karakteri im.
Pa mbaruar një kontratë dhe një punë nuk mund të bëj marrëveshje me të tjerët. I vlerësoj, sepse në fund fare është një vlerësim dhe për ato rezultate që kam arritur në karrierë.
Por nuk do shpërndahem, sepse jam drejtuesi teknik i Skënderbeut dhe dua që të fokusohem në këtë kohë merkato që të motivoj futbollistët për të qenë të përqendruar, për të përfaqësuar sa më denjësisht Skënderbeun.
Jemi këtu për të qenë në pozicionet e larta të tabelës dhe jo të shpërndajmë vëmendjen dhe të merremi me gjëra që nuk i takojnë momentit”, u shpreh Daja.