Ish-portieri i Tiranës Edvan Bakaj ka hasur disa probleme të parpritura gjatë transferimit nga ekipi i Lirisë së Prizrenit te Drita e Gjilanit në kampionatin Kosovar. 30-vjeçari që kontrata me Lirinë i skadon më 30 qershor do të vijojë karrierën e tij te kampionët e Kosovës por mesa duket do të humbasë mundësinë për të luajtur për ta në turin paraeliminator të Champions League. Shkak për këtë është bërë refuzimi nga ana e Lirisë për t’i dhënë futbollistit dokumentin e lirimit nga klubi, duke e mbajtur atë të lidhur deri ditën e fundit të kontratës.
Kjo ia bën të pamundur futbollistit të firmos me një ekip tjetër deri më datë 30 qershor. Drejtuesit i kushtëzuan dhënien e këtij dokumenti në këmbim të faljes nga “gardiani” të një borxhi që klubi i ka atij në shumën e 3500 euro, por Bakaj e ka refuzuar kategorikisht.