Trajneri i Dinamos, Rodolfo Vanoli, foli në konferencë për shtyp para derbit të kryeqytetit kundër Tiranës, që do të luhet nesër në “Selman Stermasi”, në orën 17:00. Edhe pse tashmë Dinamo ka rënë matematikisht në Kategorinë e Parë, trajner italian kërkon të fitojë sfidën ndaj kampionëve të Tiranës për të nderuar fanellën, presidentin dhe tifozët, ndërsa shprehet i bindur se do të rikthehen sërish në elitën e futbollit shqiptar.
Konferencat për shtyp, zakonisht zgjasin me minuta të tëra dhe trajnerët “zbërthehen” nga gazetarët, për të zbuluar sa më shumë detaje në prag të sfidave, por në rastin e Vanolit, duket se i kanë mbaruar dhe fjalët, pasi konferenca e tij, është shumë e shkurtër.
“Nga ndeshja e parë me Tiranën kemi ndryshuar shumë në mënyrën si luajmë. Dinamo është një ekip totalisht ndryshe, keqardhja e vetme është që nuk siguruam mbijetesën, por do të rikthehemi sërish në nivele të larta”.
“Derbi me Tiranën? Këtë derbi e kemi përzemër dhe duam ta fitojmë edhe pse jemi të vetdijshëm se po luajmë përballë ekipit më të mirë të kampionatit. Duam të bëjmë mirë për presidentin dhe tifozët, duhet ta nderojmë deri në fund të kampionatit këtë fanellë”, përfundoi Vanoli.