Espanyol arriti të sigurojë mbijetesën në La Liga edhe për sezonin e ardhshëm, një javë para përfundimit të kampionatit. Ndeshjen e fundit, skuadra ku luan Keidi Bare, do ta luajë si një “miqësore”, përballë Granada në transfertë.
Pasi u arrit objektivi i këtij sezoni, ekipi i Espanyol ka bërë gati projektin për edicionin e ardhshëm futbollistik, ku do të garojnë sërish në elitën e futbollit spanjoll.
Siç raporton prestigjiozja “El Mundo Deportivo”, stafi teknik i Espanyol do të mbajë vetëm këta futbollistë për sezonin e ardhshëm: Joan García, Óscar Gil, Sergi Gómez, Calero, Cabrera, Keidi Bare, Sergi Darder, Embarba, Aleix Vidal, Nico Melamed, Javi Puado dhe Wu Lei. Madje, raportohet se Keidi Bare do të jetë lojtari kryesor për Espanyol, pasi premton siguri në mesfushë, si dhe pritet të jetë një aset për të ardhmen, pasi kartoni i tij vlerësohet rreth 5 milionë euro.