Zvicra e ndërpreu rrugëtimin e saj në këtë Botëror në fazën e 1/16-ave, pas humbjes minimale sot kundër Suedisë. Goli i shënuar nga nordikët u konsiderua gjerësisht si faj i Granit Xhakës pasi dështoi të ruante me sukses suedezin Elis Forsberg.
Kjo ka sjellë një reagim mjaft të ashpër nga një prej ish-lojtarëve më të njohur të Anglisë Gary Neville. Ish-legjenda e Manchester United që tashmë mban rolin e komentatorit pranë BBC-së, e ka cilësuar mesfushorin e Arsenalit si një lojtar pa disiplinë dhe që sot ishte i “turpshëm” për t’u parë në fushën e lojës.
“Për atë gol, Xhaka është për turp. Ai u rrëzua dhe e la Forsberg-un që t’i ikte e të shënonte. Ndoshta ai ka shkuar në dhomat e zhveshjes dhe është ulur e ka menduar se ka bërë një ndeshje të mirë, se ka pasuar saktë dhe se ka bërë disa numra në fushë. Dhe këtë gjë e kemi parë javë pas jave tek Arsenali. Atij i mungon disiplina. Nuk është një nga ata lojtarë që unë pëlqej.”, u shpreh Neville