Ëndrra për të luajtur futboll në nivele profesioniste, kohët e fundit nuk është e pranishme vetëm te meshkujt, por edhe te femrat, ndërsa prej vitesh është krijuar edhe kampionati i futbollit shqiptar për femra.
Një dëshirë të tillë, për të luajtur dhe për të bërë karrierë në futboll e ka edhe 12-vjeçarja nga qyteti i Gramshit, Glida Osmani.
Prej kohësh ka nisur stërvitjen me grupmoshat U-15 me djemtë e Gramshit. Pasioni i saj për futbollin ka nisur që në moshë të vogël,duke ëndërruar që një ditë të prekë edhe kombëtaren.
Në intervistën e saj të publikuar në faqen online të infoelbasani.al, Gilda shprehet: ”Luaj gjithmonë me çunat tek lagja,edhe në shkollë,të gjithë shokët dhe shoqet më thërrisnin me nofkën “çuni me flokë të gjata” por se kam problem. Për mua futbolli është një pasion, dhe dua ta vazhdoj ta ndjek”.
Gramshi është një qytet shumë i vogël dhe nuk të ofron mundësi të shumta për të bërë realitet ëndrrën e Glidës. Familja nuk ka mundësi financiare. Bashkia, si mbështetësja kryesore e këtij sporti, ende nuk ka bërë asgjë për vajzën e talentuar. Kështu për Glidën bëhet akoma më e vështirë të ndjekë rrugëtimin që ka nisur.
Trajneri i grupmoshave, njëkohësisht edhe ish-futbollist i Gramshit, Mentar Dermyshi, shprehet se: “Ky qytet ka shumë talente, por për çudinë e të gjithëve këta të rinj stërviten akoma me të ardhurat e prindërve të tyre. Bashkia nuk kompenson as dietat, as rrugën kur kemi ndeshje jashtë. Është një turp që sportin në këtë qytet e kanë “burgosur”.
Mbështetje e vetme për Glidën është vëllai i saj, Edmondi, i cili në çdo moment i ka qëndruar pranë, duke shpresuar ta transferojë edhe tek ekipi i Elbasanit pasi në këtë qytet ekziston edhe ekipi i femrave. Mungesa e investimeve por edhe e donatorëve për sportin në qytetin e Gramshit ka bërë që shumë të rinj ta harrojnë sportin dhe të nisin rrugën e “tymosjes”.
Vetë Gilda shprehet se e ka mjaft pasion futbolli. “Nuk mendoj për asgjë tjetër. Vetëm për futbollin. Futbolli mbush jetën time. Ai më del edhe në ëndërr. Këtu në Gramsh nuk ekziston një ekip vajzash ndaj po luaj me skuadrën e djemve. Trajneri më aktivizon dhe më motivon që ta vazhdoj këtë rrugëtim. Kam vëllanë që më mbështet. Nuk di nëse një ditë do të realizohen ëndrrat e mia. Ëndërroj të vesh fanellën e kombëtares. Unë nuk do të heq kurrë dorë. Di t’ia arrij. Futbolli është jeta ime”.
Nuk dihet nëse një ditë do të realizohet vërtet ëndrra e vogëlushes nga Gramshi. Dëshira, pasioni dhe vullneti i saj nuk mungojnë. Por këto talente kanë nevojë edhe për mbështetje. Ndryshe do fiken si qindra të tjerë.