Para ndeshjes kundër Lionit për Champions, të cilën Juventus do ta luajë nesër në 20:45 në Torino, sulmuesi Gonzalo Higuain ka dalë në konferencë për shtyp, ndërsa në intervistën e publikuar në “Corriere dello Sport”, argjentinasi u shpreh: “Do luajmë vetëm për ta fituar këtë takim. Është një mundësi që do të na jepte kualifikimin për në fazën me eliminim direkt të Champions League. Nëse një gjë e tillë do të vinte me një gol të shënuar nga unë do të ishte më mirë.
Kritikat e Bufon? Është e vërtetë se duhet të përmirësohemi në lojën tonë, por rëndësi ka që të fitojmë. Goli kundër Napolit në kampionat ishte i rëndësishëm për skuadrën, sepse jemi shkëputur nga ndjekëset e tjera. Ndonjë domethënie speciale? Ishte një gol i rëndësishëm në një ndeshje të rëndësishme”, deklaroi Higuain, i cili pranoi se sfida kundër Napolit ishte e veçantë për shkak se: “Isha pjesë e Napolit për tre vjet dhe ishte një ndjenjë speciale të isha kundër ish-skuadrës sime”.
ME MANXHUKIÇ – Higuain do të udhëheqë sulmin e Juventusit kundër Lionit së bashku me kroatin. “Me Mario ndihem shumë mirë në fushën e lojës, ashtu siç ndihem me të gjithë sulmuesit e tjerë të skuadrës. Me Manxhukiç kemi luajtur shumë pak bashkë, por shpresojmë që të përmirësohemi edhe më shumë dhe të njohim më mirë lojën e njëri-tjetrit”, u shpreh sulmuesi argjentinas i Juventusit.
OBJEKTIVAT – “Përpiqem që të përmirësohem, në çdo moment. Sipas jush isha në krizë para golit tim të fundit. Championsi është një kompeticion i mrekullueshëm dhe kundër Lionit kemi shansin që të luajmë një ndeshje të rëndësishme. Jemi ekipi që kemi pësuar më pak gola në kampionat dhe jemi të parët në Serinë A. Objektivi i Juventusit është të fitojë gjithçka. Jam i lumtur që ndodhem në këtë klub dhe që bëj pjesë në ekipin e Juventusit”, përfundoi Gonzalo Higuain.