Piloti britanik i Mercedesit, Luis Hemilton, ka arritur të sigurojë vendin e parë në provat zyrtarë të Çmimit të Madh të Spanjës në Formula 1. Ai ka lënë pas vetes gjermanin e Ferrarit, Sebastian Fetel, duke regjistruar një kohë vetëm me 5 të qindtat e sekondës më të shpejtë.
Lufta e titullit kampion në Formula 1 në këtë sezon duket se do të jetë spektakolare deri në fund teksa dy pilotët më në formë, Hemilton dhe Fetel, kanë rivalizuar me njëri-tjetrin që nga gara e parë dhe tashmë kanë filluar të dhurojnë emocione të mëdha dhe në prova përveçse në gara.
Pas tyre një vend në podium në prova e zuri dhe piloti tjetër i Mercedesit, Valeri Botas, ndërkohë që pas tij u rendit Kimi Raikonen i Ferrarit. Pas tyre regjistruan kohët më të shpejta dy pilotët e Red Bullit, Vershtapen dhe Riçiardo. Gara e Katalunjës do të zhvillohet nesër në orën 14:00.