Edhe pse ka një eksperiencë shumë të shkurtër si trajner në futbollin shqiptar, Orges Shehi po hedh hapa të mëdhenj në karrierë. Skënderbeu i tij po luan njësoj si sezonet e kaluara, duke dëshmuar se mbetet ekipi për t’u mundur nga të gjithë në kampionat.
Por në një prononcim për “Supersport” ish-gardiani i bardhekuqve nuk entuziazmohet nga ecuria e ekipit, pasi kësaj skuadra nuk i mungojnë vlerat prej kampioni. Ndërkohë ai ka theksuar se fitorja me Kukësin nuk duhet ta verbojë për ndeshjen e nesërme me Luftëtarin. Zëvendësimin e Bregut në fitoren e fundit.
“Ishte një ndeshje që të mbush me besim, për mënyrën sesi u interpretua. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, pra me lojëra të mira, sepse rezultatet vijnë. Nuk e nënvlerësojmë, madje e konsiderojmë një nga ndeshjet me të vështira të kësaj faze. Është një skuadër që ka ndërruar trajner dhe dora e trajnerit duket. Edhe djemve u kam thënë se është ndeshje e vështirë. Lojtarët që janë në fushë edhe zëvendësohen. Ndonjë futbollist që zëvendësohet edhe mund të mërzitet, por kjo është e momentit. Nuk ia vlen të diskutosh për këtë. Kampionati është një maratonë e gjatë, por duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Skënderbeu nuk ka nevojë të trumbetojë që është për kampionat, e tregon historia e viteve të fundit”, përfundoi tekniku Shehi.