Besa e Kavajës do të luajë nesër kundër Shënkollit, ndeshje e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë së Parë. Para kësaj sfide, Gugash Magani ka dhënë një intervistë për RTSH Sport duke treguar gjendjen në skuadër.
Trajneri i njohur “qan” barazimin me Ilirinë dhe vë theksin te mungesa e një stadiumi. Kjo ka penalizuar shumë ekipin verdhezi që i duhet të “shtegtojë” sa në një shtëpi në tjetrën.
– Sa djeg barazimi me Ilirinë për
Besën e Kavajës?
Duke pasur parasysh që gjatë gjysmës së sezonit të 2019-ës kemi bërë shumë
gabime pa diskutim që djeg shumë, sepse skuadrat e tjera, të cilat janë
rivalizuese me ne janë më shumë me pikë normalisht djeg. Kështu që në këto
momente dhe në momentin që kaloi, e cila ishte një situatë jo për ne, bëmë një
hap fals sa për gabimet tona, ashtu dhe për meritë të kundërshtarit. Kështu që
ka djeg shumë.
– Ndërkohë vjen ndeshja me
Shënkollin. Me çfarë objektivash shkon Besa në atë transfertë?
Me skuadrat që në letër duken të dobëta ne kemi luajtur shumë keq. Edhe me
Shënkollin, me meritë na ka marrë fitoren në fushën tonë. Kështu që normalisht
mendoj se do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Në të njëjtën kohë është shumë e
rëndësishme për ne, sepse normalisht në qoftë se ne do të vazhdojmë derisa
matematika të na lejojë për të luftuar për objektivin tonë final duhet të
shkojmë për ta marrë atë ndeshje. Por normalisht jo duke folur sikur po flas
unë tani, por duke luajtur futboll dhe brenda kuadratit të fushës të marrim tre
pikët.
– Besa është ndër ato skuadra që nuk
luan në shtëpinë e vet. E vuan skuadra këtë duke u endur sa në Lushnje, aq dhe
në Pezë-Helmës, apo gjetiu për të luajtur ndeshjet e veta?
Por dihet që fusha është një llojë pike e fortë për çdo skuadër, aq më
shumë në kampionatin shqiptar. Në të njëjtën kohë duke qenë në fushën tënde
edhe tifozët kanë mundësi për të ardhur në stadium. Dihet që tifozët janë
lojtari i dymbëdhjetë, sikurse thuhet, kjo për skuadrën. Kështu që normalisht
na ka penalizuar jo pak, por shumë, sepse nuk kemi një fushë fikse. Kemi
luajtur sa në Lushnjë, në Peqin, apo dhe në Tiranë. Kështu që edhe kjo ka qenë
pjesë e kësaj. Megjithatë mendoj që kjo situatë që ka kaluar, ka kaluar. Të
fokusohemi tek ndeshjet që kemi dhe në fund të bëjmë analizat, apo dhe
llogaritë.
– Me grupin që keni sa shanse keni të
kaloni Apoloninë, Pogradecin dhe Lushnjen e të jeni ju në Superiore?
Janë tre skuadra që me meritë janë në krye. Ne jemi skuadra e katërt. Unë
mendoj që shanset i kemi të mëdha sepse çdo ndeshje ka brenda tre pikë, aq më
shumë që me dy skuadrat, të cilat i përmenda dhe më sipër, pra me Apoloninë dhe
Pogradecin, ne do të luajmë tre herë, gjithnjë nëse do të jemi ne në katërshe.
Kështu që shanset i kemi të mëdhaja. Megjithatë ne duhet të shohim ndeshjet
tona, ndeshjen e radhës. Të marrim ndeshjet tona dhe pastaj të bëjmë llogaritë.
– Së fundi, diskutohet shumë për një
Besë me talente. Sa të ardhme ka kjo skuadër?
Shiko! Krahas objektivit që ne kemi pasur strategjia e klubit ka qenë që të
kemi në organikën tonë lojtarë që kanë pritshmëri për të ardhmen. Dhe në
shumicën e minutave kanë luajtur lojtarë që janë të rinj, të paktën 50-60
përqind e skuadrës janë futbollistë që janë të datëlindjes 2000 dhe 2001.
Kështu që kjo është një ogur i mirë për të ardhmen. Normalisht ne ecim me dy
objektiva paralelisht: kalimi në Superiore dhe e ardhmja. Kështu që normalisht
për ne ka qenë e vështirë.