Teuta do të luaj në “Elbasan Arena” sfidën e javës së 15 ndaj Kukësit. Ndeshja e programuar për të shtunën në orën 16:00 shihet si vendimtare për bregdetarët, që duan të vijojnë me rezultatet pozitive të javëve të fundit. Teuta u kthye te fitorja pas katër barazimesh, duke siguruar tri pikët në javën e shkuar ndaj Skënderbeut.
Në prag të ndeshjes me Kukësin, trajneri i “Djemve të Detit” ka theksuar se duhen rikuperuar disa pikë të lëna rrugës. Mungesat nuk duhet të jenë justifikim për ekipin, me trajnerin korçar që nuk e sheh si të pamundur suksesin ndaj verilindorëve.
“Shpresoj që goli i Vilës në minutën e fundit të ketë thyer tersin që kemi pasur. Nuk mund të harrojmë që luajmë ndaj një kundërshatri shumë të mirë që është projektuar për titullin kampion.Kam shumë besim te ekipi që drejtoj, që do të thotë se e shoh një ndeshje të kalueshme. Qëllimi ynë është që të luajmë për fitore, duke vijuar me rezultatet e mira. Futbollistët duhet ta shohin si ndeshjen e radhës dhe nuk duhet të kenë presion mbi vete. Problemet në gjetjen e golit duhet t’i rikuperojmë dhe për këtë gjë kemi punuar gjatë javës. Mendoj se kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe pikët që kemi nuk e përligjin këtë, duhet të kishim më shumë pikë. Kukësi është rivali jonë dhe jemi aty-aty me pikë”, ka theksuar Bledi Shkëmbi ndër të tjera.