Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka folur për sfidën e nesërme kundër Vllaznisë. Tekniku i verilindorëve bëri një analizë të skuadrës së tij, por gjithashtu deklaroi që me shkodranët rezultati do të jetë pozitiv, pasi ekipi është i uritur për fitore. Gjithashtu Gjoka konfirmoi 2 mungesat e vetme siç janë Alla dhe Greca.
Ndeshja – “Do të jetë një takim shumë i rëndësishëm dhe jemi përgatitur seriozisht. Duam ta kalojmë me sukses këtë ndeshje. Ne kemi punuar mjaft mirë edhe në Turqi dhe besoj se do shprehim gjithçka në këtë 90-minutësh”.
Diferenca me kundërshtarët – “Jemi një pikë larg vendit të dytë, por nuk e mendojmë fitoren vetëm për këtë takim, por për vazhdimin e garës. Jemi në garë të fortë dhe nëse duam të dalim në krye do të duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe me fitore”.
“Ekipet e vogla” – “Vllaznia nuk është një ekip i vogël, pasi është një emër i madh i futbollit shqiptar. Për të dalë kampion duhet të fitojmë ndaj të gjitha ekipeve”.
Futbollistët – “Nuk kemi në dispozicion vetëm Allen dhe Grecën, pjesa tjetër është komplet e gatshme. 2 mungesa nuk mund të na ulin ritmin, pasi jemi projektuar për kampion. Kale dhe Rrumbullaku janë përshtatur mjaft mirë me ekipin. Mbrojtësi do e nisë nga minuta e parë”.