Trajneri Ernest Gjoka dhe zëvendës kapiteni, Mevlan Murati kanë folur para mediave pas ndeshjes me kampionin e Sllovenisë.
Shkëndija do të shkojë me negativë 1:0 në transfertë me NS Mura në ndeshjen e kthimit të raundit të parë eliminatorë të UEFA Champions League. Kuqezinjtë mbrëmjen e të martës u mundën në Shkup 0:1, në një duel të dominuar nga ekipi shqiptar.
Penaltia e konvertuar në gol nga Bobiçanec u tregua të jetë vendimtare, me Shkëndijën që mes shumë rasteve humbi edhe një penalti.
“Duke treguar statistikat del se kemi qenë më të mirë se kundërshtari në lojë. Futbolli është i tillë, po nuk shënove, nuk arrin të zhbllokohet skuadra. Ne e kemi potencialin për përmbysje dhe do shkojmë në Slloveni ta kërkojmë atje fitoren.
Në ndeshjen e kthimit duhet të interpretojmë të njejtën lojë, duhet të kërkojmë më shumë dhe duhet të jemi të qetë para portës që të shënojmë. Në qoftë se do të arrijmë të shënojmë, atëherë skuadra do të ketë tjetër performansë në fushë”, ka thënë Gjoka.
Më tej Murati është shprehur: “Ne bëmë maksimumin tonë, gjithë ekipi dha maksimumin ndaj Mura-s dhe besoj se me atë që treguam sot ndeshja akoma është e hapur. Besojmë shumë në ndeshjen e kthimit dhe nga Sllovenia të vijmë me rezultat pozitiv”.