Trajneri i sapoemëruar i Turqisë Senol Gunes e nis misionin drejt kualifikimit për herë të pestë në një kampionat europian me “llogari”. Tekniku, që e çoi vendin e tij në vendin e tretë në Botërorin e 2002, deklaroi për mediat para sfidës së shumëpritur të të premtes në Shkodër se duhet të merren pikë të plota në dy përballjet e para me Shqipërinë dhe Moldavinë dhe në një prej sfidave me Francën të sigurohet të paktën një fitore për të qenë pretendentët kryesorë për të prerë biletën për EURO 2020.
“Jemi në fillimin e një shkalle dhe në Shqipëri duhet të hedhim hapin e parë. Nuk mund të mbetemi në të kaluarën dhe nuk mund të mburremi me sukseset e të kaluarës. Ne duhet të jemi Franca, një skuadër e cila nuk mendon për suksesin, por si ta mbrojë atë. Islanda është diçka krejt tjetër, ishte një ekip të cilin nuk e njihnim. Në kohën time bëmë një miqësore në Izmir dhe i mundëm 4-0. Që atëherë, nuk i kemi mundur më. Mendoj se ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e luftuar. Do të ishte e mira për ne që ndeshjen e parë të siguronim një rezultat të mirë. Është e rëndësishme që jemi më të mirë në letër ndaj Shqipërisë, por më e rëndësishme është që të tregohemi më të fortë edhe në fushë. Nëse fitojmë këto dy ndeshje të para dhe një nga ndeshjet me Francën, mendoj se do të jemi para skuadrave të tjera”, theksoi Gynesh.