Nuk kanë mbetur edhe shumë ditë nga starti i Superligës së këtij sezoni. Ashtu si vitin e fundit, edhe këtë sezon pritet që kampionati të jetë shumë i rivalizuar mes skuadrave si në luftën për titull, ashtu edhe në atë për mbijetesë. Të gjitha skuadrat e Superiores kanë bërë një merkato të mirë duke afruar në skuadër shumë futbollistë cilësorë. Skënderbeu është përsëri pretendent për titull, teksa ka rritur cilësinë e skuadrës me futbollistët e afruar. Po ashtu edhe Partizani me Tiranën ka bërë një merkato të mirë, ku flitet se do ketë përsëri afrime të tjera. Verilindorët e Kukësit kanë marrë në skuadër shumë futbollistë, ku vlen të përmendet bomberi kroat Pero Pejiç, i cili pritet të bëjë diferencën në sulmin verilindor. Mes këtyre skuadrave mund të diskutohet titulli kampion. Por nuk duhen harruar edhe skuadrat e tjera, të cilat mund të vendosin edhe fatin e këtyre pretendentëve për titull.
Durrsakët nuk kanë bërë shumë afrime në këtë merkato verore, megjithatë siç çdo sezon, “djemtë e detit” surprizojnë me talentët që marrin në skuadër. Flamurtari i Gugash Maganit ka qenë shumë aktiv në “hyrje-daljet”, ku janë afruar shumë lojtarë në provë, disa nga ata janë mbajtur pasi kanë bindur, por ka pasur edhe largime.
Korabi si debutues në Superiore ka shpenzuar shumë në këtë merkato verore, teksa e ka riformuar skuadrën nga fillimi. Objektivi i tyre është i qartë dhe në pamje të parë duket i qëndrueshëm me afrimet e bëra. Por kampionati është i gjatë dhe pritet të ndiqet me interes ecuria e dibranëve.
Vllaznia e Shkodrës, me në krye Armando Cungun, i kanë plotësuar të gjithë repartet. Problem kryesor mbete sulmi, megjithatë drejtuesit shkodranë kanë premtuar që do ta zgjidhin edhe këtë ngërç me afrimin e një sulmuesi cilësor.
Dy skuadrat që nuk kanë qenë shumë aktive në merkato janë Laçi dhe Luftëtari. Megjithatë ka kohë të mjaftueshme deri më datën 31 gusht, datë në të cilën mbyllet edhe merkatoja verore.